Meta dekreton shkarkimin e Bushatit dhe emërimin e Edi Ramës ministër

Presidenti i Republikës dekretoi shkarkimin e Ditmir Bushatit si ministër i Jashtëm dhe emërimin në vend të tij të kryeministrit Rama, raporton Top Channel.

“Emërimi i Kryeministrit edhe në detyrën e ministrit është një rast i veçantë, që nuk parashikohet dhe as ndalohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Presidenti i Republikës vlerësoi këtë propozim në përputhje me frymën që përcjell Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në komunikatën për shtyp të Presidencës.

Presidenca shpjegoi se kreu i Shtetit ka bërë një interpretim të zgjeruar të dispozitave kushtetuese.

“Ushtrimi i detyrës së ministrit nga Kryeministri është një veprimtari shtetërore që shtrihet brenda sferës ekzekutive pjesë e kabinetit qeveritar, struktura e të cilit është në të drejtën e Kryeministrit për t’u propozuar”, lexohet më tej në deklaratën e zëdhënësit për shtyp të presidentit.

Sipas presidentit, ky vendim synon të shmangë çdo mundësi për krijimin e një krize institucionale në Shqipëri.

Por, mazhoranca mendon se kreu i Shtetit nuk u udhëhoq nga i njëjti parim kur refuzoi të shprehej me dekret për propozimin e Gent Cakajt për ministër të Jashtëm.

“Ajo që thotë Kushtetuta është që presidenti, për të gjitha kompetenca që ka duhet të shprehet me dekret. Edhe kur e jep pëlqimin, edhe kur nuk e jep pëlqimin, pra ka kundërshtim, duhet të nxjerrë dekret. Megjithatë, le të presim ditën dhe orën që Gjykata Kushtetuese të ngrihet, e lidhur me këtë interpretim qoftë edhe timin, le të shprehet edhe ajo, e ne të heshtim të gjithë”, tha Ruçi.

Por, a është penduar Gramoz Ruçi që votoi Ilir Metën për president?

“Unë nuk pendohem asnjëherë për votën që jap. Kam pritur dhe pres që Ilir Meta të zbatojë Kushtetutën si president i vendit”, tha kryeparlamentari Ruçi, raporton Top Channel.