Meta dekreton datë të re zgjedhjesh, Rama refuzon

Presidenti Ilir Meta deklaroi se ka dekretuar zhvillimin e zgjedhjeve për pushtetin vendor më 13 tetor. Kryeministri Edi Rama deklaroi se zgjedhjet do të mbahen vetëm më 30 qershor.

 

Presidenti Meta deklaroi të enjten se ka përcaktuar një datë të re për zgjedhjet për pushtetin vendor pas vendimit të tij të 8 qershorit për të anuluar dekretin e mëparshëm. Sipas Metës, zgjedhjet do të zhvillohen më 13 tetor, “sepse është dita më e shpejtë për të organizuar zgjedhjet vendore gjithëpërfshirëse.”

Deklarata e Metës erdhi pas disa takimeve konsultative me drejtues të partive politike të opozitës, përfshirë Partinë Demokratike dhe ish-partinë e Metës, Lëvizja Socialiste për Integrim.

Kryeministri Edi Rama, i cili kishte refuzuar më herët ftesën për konsultime me presidentin, u tall me të në një seri mesazhesh në rrjetin social Tëitter, duke e quajtur presidentin “Salvador Haxhi Qametaj” dhe veprimet e tij me anulimin e dekretit dhe dekretin e ri, “çmenduri”, deklaroi se zgjedhjet do të vijojnë siç janë planifikuar. “30 qershori është e vetmja datë zgjedhjesh”, tha Rama.

Duke shkruar terma juridikë në latinisht, Rama sugjeroi se përderisa dekreti i presidentit për anulimin e zgjedhjeve ishte shpallur nul nga parlamenti, ai nuk mund të prodhonte efekte.

“Quod nullum est, nullum producit effectum”, shkroi Rama.

Shqiptarët janë ftuar në zgjedhje për pushtetin vendor më 30 qershor, por opozita kryesore ka refuzuar të marrë pjesë në to pasi pretendon se bashkëpunimi i qeverisë “Rama” me elementë të krimit të organizuar në të gjithë territorin e vendit e bën të pamundur zhvillimin e zgjedhjeve normale.

Rama pretendon se opozita nuk është regjistruar në zgjedhje për shkak se nuk është në gjendje t’i fitojë ato.

Në 31 nga 61 bashkitë e vendit të dielën ka vetëm një kandidat për kryetar bashkie nga rradhët e socialistëve ndërsa në pjesën tjetër ka disa kandidatë të pavarur apo të partive të vogla.