Mësuesit e Kllokotit janë paguar më pak se mësuesit e tjerë të Kosovës

Komuna e Kllokotit nuk ua ka ‘paguar hakun’ punëtorëve të arsimit, duke i paguar të gjithë mësimdhënësit me pagë të njëjtë pa marrë parasysh se në cilin nivel të arsimit janë duke punuar.

Auditori i përgjithshëm në raportin e këtij viti ka gjetur se Komuna e Kllokotit nuk ka vendosur kontrolle adekuate në arsim, andaj të gjithë mësimdhënësit janë paguar në bazë të një koeficienti i cili ishte përdorur në 2011 për mësuesit e arsimit fillor.

“Të gjithë mësimdhënësit e punësuar në departamentin e arsimit, pavarësisht nëse ata punojnë në arsimin parashkollor, fillor ose të mesëm, marrin paga të përllogaritura me koeficientin A-382, i cili deri në vitin 2011 është përdorur ekskluzivisht për mësuesit e arsimit fillor. Menaxhmenti i Komunës nuk ka vendosur kontrolle adekuate të brendshme për të reaguar ndaj parregullsive që rezultojnë”, thuhet në raportin e Auditorit.

Kjo ka rezultuar me pagesë më të ulët për disa prej mësimdhënësve në krahasim me ligjet që janë miratuar tashmë.

“Mos përditësimi i koeficienteve dhe kontratave në përputhje me ndryshimet ligjore, rezulton me pagesa më të ulëta në raport me ato që kanë miratuar ligjërisht”, thuhet tutje në raport.

Auditori ka kërkuar nga Komuna që sa më shpejtë të bëjë ndryshimet e duhura në koeficiente të pagave, në mënyrë që të mësimdhënësit të paguhen në bazë të ligjeve në fuqi.

Këtu mund ta gjeni raportin e auditimit për Komunën e Kllokotit.

Para disa muajsh, mësuesit e të gjitha shkollave në Kosovë kishin hyrë në një grevë të përgjithshme duke kërkuar rritje të pagës. Greva e tyre kishte përfunduar kur Qeveria kishte vendosur të ia rriste pagat.