Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Mësuesi e mjeku i dyshuar në rastin e abuzimit të vajzës së mitur nga Drenasi sot dalin para Gjykatës

Derisa në Drenas do të protestohet për rastin e abuzimit seksual të 16-vjeçares, nga profesori dhe polici, para Gjykatës Themelore në Prishtinë pritet të paraqitën profesori dhe doktori që e kreu abortin.

Gjatë ditës së djeshme është bërë arrestimi i mësuesit Sh. Xh., i cili dyshohet për keqpërdorim seksual dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare si dhe doktorin i cili për 230 euro dyshohet se ka bëre ndërprerjen e palejuar e shtatzënisë- abort.

Ata me vendim të prokurorit u dërguan në mbajtje, kurse sot pritet të dalin në gjykatë për tu përballur me kërkesën e prokurorit.

Për abuzimin me të miturën dje me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë ju caktua paraburgimit policit të dyshuar V.V.

Polici dyshohet se duke e përdorur pozitën e tij zyrtare ka keqpërdorur seksualisht viktimën, dhe se e ka shtyrë të bëje ndërprerjen e pa lejuar të shtatzënisë.

Ngjarja e cila e tronditi opinion publik në Kosovë dyshohet se fillimisht ndodhi pasi që e mitura kishte shkuar për ta raportuar ngacmimin seksual nga mësimdhënësi.

Ditë më parë mediat raportuan se viktima e mitur kishte shkuar në polici për të raportuar ngacmimin e mësimdhënësit por që më pas kishte rënë pre e dhunimit dhe keqpërdorimit seksual edhe nga polici.

KALLXO.com, dje ka dhënë detaje nga dosja e prokurorisë.

 

Gjykata tregon arsyet për paraburgimin e policit

 

Aty shpjegohet se si polici e ka keqpërdorur pozitën kur viktima e kishte lajmëruar një rast të abuzimit seksual nga një mësues i saj.

Dosja sqaron se i pandehuri më pas kishte shkuar te shkolla, ku nga viktima kishte marrë numrin e saj të telefonit.

Pas këtij veprimi, sipas asaj që shkruhet në dosjen e Prokurorisë, polici ka filluar të komunikojë me të duke e kushtëzuar që nëse nuk del të takohet me të, ky nuk kthehet i gjallë në shtëpi.

Nga aty, sipas dosjes, i dyshuari kishte shkuar te shtëpia e viktimës, ku pas presioneve me drita të makinës e kishte detyruar të dalë jashtë.

“Me veturën e tij kanë shkuar në motel dhe aty pa dëshirën e të dëmtuarës sipas Prokurorisë i dyshuari e ka detyruar që të ketë marrëdhënie seksuale me të”, thuhet në dosje.

Prokuroria përmend disa raste, ku sipas saj, ishin kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirë, përfshirë udhëtimet në Shqipëri si Patok, Tiranë, kalanë e Rozafës, Elbasan etj.

Rasti kishte nisur në vitin 2016, kur viktima ishte 16 vjeçare, ndërsa lidhja thuhet se kishte vazhduar tutje gjatë dy viteve të ardhshme.

Në janar 2019, kur vajza ishte 18 vjeçe ajo kishte kuptuar se ishte shtatzënë në javën e 10-të.

Lajmi për shtatzëninë kishte ngritur në këmbë një aparat të tërë ndërsa termini për abortin dyshohet se ishte caktuar me 15 janar në klinikën e doktorit F.A.

Aty aborti dyshohet se ishte kryer për një shumë prej 230 eurosh.

Paraburgim ndaj policit të dyshuar për dhunim dhe ngacmim seksual

.