ILUSTRIM - Polic i Kosovës- foto: Fatrion Ibrahimi -KALLXO

Mësohet numri i veturave të paregjistruara të policisë

270 është sasia e përmendur në tenderin e publikuar nga ana e Policisë së Kosovës në sistemin e E-Prokurimit, për regjistrim e  veturave të policisë.

Madje policia ka thënë në E-Prokurim se afati i kryerjes se shërbimit nga ana e operatorit që fiton tenderin do te jetë brenda tri ditëve nga momenti i kërkesës nga ana e Autoritetit Kontraktues, ndërsa kontrata publike kornizë do të ketë qasje 12 muaj.

KALLXO.com në fillim të muajit të kaluar kishte zbuluar se Policia e Kosovës, ishte në mungesë të veturave pasi që të njëjtat ishin pa regjistruar ndërsa ishte dhënë urdhri nga Drejtori i Përgjithshëm, Rashit Qalaj që të njëjtat vetura të mos dalin në qarkullim.

Zbulimin e KALLXO.com e kishte konfirmuar edhe Drejtori i Operacioneve, Afrim Ahmeti.

I  njëjti kishte përmendur se tenderi i kaluar i Policisë së Kosovës me një kompani të kontraktuar për regjistrimin e automjeteve ishte shkëputur për shkak të disa ankesave të kompanisë.

https://kallxo.com/bllokohet-policia-dhjetera-makina-te-paregjistruara/

KALLXO.com kishte kërkuar sqarime nga ana e Policisë së Kosovës për tenderin e shkëputur me kompaninë e kontraktuar për regjistrimin e automjeteve.

Të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje në lidhje me këtë rast.

Në anën tjetër në disa përgjigje të tjera Ministria e Punëve të Brendshme i kishte thënë KALLXO.com se në kuadër të Policisë së Kosovës janë një numër i madh i automjeteve zyrtare të llojeve të ndryshme që shërbejnë për polici, të cilat janë si mjet i punës për realizimin e detyrave dhe përgjegjësive policore.

“Një numër i caktuar prej këtyre veturave, që janë në kuadër të Policisë së Kosovës ku bëjnë pjesë Departamente, Divizione, Rajone dhe njësite policore, u ka skaduar regjistrimi dhe për momentin janë jashtë përdorimit policor, përderisa të regjistrohen/sigurohen. Të gjitha këto automjete të cilave u ka skaduar regjistrimi është kërkuar që në asnjë rast të mos qarkullojnë në trafik, përderisa të përfundojnë komplet procedurat e prokurimit, ankesat dhe afatet kohore të parapara sipas legjislacionit dhe të njëjtat pas regjistrimit të vazhdojnë në qarkullim sipas detyrave policore”, thuhet në përgjigjet e MPB-së.

KALLXO.com kishte kërkuar të dinte edhe se sa automjete janë gjithsej që kanë nevojë për regjistrim, ndërsa MPB kishte thënë se “bazuar në detyrat specifike, detyrat konfidenciale në raste dhe operacione të ndryshme ku mund të përfshihen automjetet zyrtare, nuk kemi bërë të ditur detajet e automjeteve, pasi të njëjtat sipas nevojës operacionale transferohen/qarkullojnë nëpër departamente, drejtori dhe njësi të ndryshme policore”.

Për këtë kërkesë ata nuk ishin përgjigjur saktësisht por në dosjen e tenderit të publikuar në E-Prokurim thuhet se sasia e kërkuar për regjistrimin e automjeteve ishte 270.

https://kallxo.com/pervec-policise-edhe-mpb-eshte-ne-proces-te-regjistrimit-te-10-veturave/

KALLXO.com disa ditë më parë ka shkruar edhe se ishte pezulluar dhënia e kontratës për njërin nga operatorët i cili kishte fituar tenderin për regjistrimin e veturave të policisë.

Në njoftimin e fundit të E-Prokurimit, thuhet se Policia e Kosovës ka refuzuar kërkesën për rishqyrtimin e operatorit ekonomik OE “SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA” SII.A, Prishtinë në lidhje me tenderin për regjistrimin e veturave të policisë.

Operatori Ekonomik gjithashtu ka të drejtë ankese në OSHP.

https://kallxo.com/policia-pezulloi-tenderin-per-regjistrimin-e-veturave/

Në maj të këtij viti Zyra Kombëtare e Auditimit kishte publikuar raportin për Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Në po të njëjtin raport ishin shkruar edhe parregullsitë e hasura në Policinë e Kosovës e cila vepron në kuadër të MPB-së.

Raporti i auditimit ka gjetur se 96 vetura të policisë presin servisimin në flotën e Policisë. Në pritje për servis janë 16 vetura nga viti 2016, 35 nga viti 2017 dhe 45 të tjera që nga viti i kaluar.

Makinat sipas raportit kanë dëmtime dhe janë jashtë funksionit.

https://kallxo.com/skandaloze-veturat-e-policise-presin-servisimin-qe-nga-viti-2016-te/

Pas këtij raportimi, KALLXO.com kishte kërkuar sqarime nga ana e Policisë së Kosovës për veturat e përmendura në raport të auditmit si dhe për veturat e tjera  të cilat janë jashtë funksionit.

Në përgjigjet e Policisë së Kosovës, 80% e veturave të Policisë së Kosovës kanë kaluar afatin 7 vjeçar të shfrytëzimit dhe mbi 250 mijë kilometra të kaluara.

https://kallxo.com/80-e-veturave-qe-perdor-policia-jane-vetem-per-skrap/