Mesiq në AAK | Foto: KALLXO.com
Mesiq: Miku Im Haradinaj do të Kthehet në Kosovë
Stipe Mesiq, ish-Presidenti i Kroacisë gjatë vizitës që bëri në selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se pret që Ramush Haradinaj së shpejti të kthehet në Kosovë.
Duke treguar pse e vizitoi AAK-në, Mesiq tha se e ka mik të ngushtë Ramush Haradinajn.
“Unë u interesova dhe u informova për situatën e shokut dhe mikut tim të ngushtë zotit Haradinaj, por unë jam i bindur dhe mendoj që shumë shpejt miku im do të kthehet në Kosovë”, tha Stipe Mesiq.
Ardian Gjini, nënkryetar i AAK-së, tha se vizita e Mesiqit i ka nderuar zyrtarët e kësaj partie, sidomos në kohën kur Haradinaj nuk ndodhet në Kosovë.
Gjini deklaroi se AAK-ja do të vazhdojë ta mbajë miqësinë me ish-Presidentin kroat.
“Është një mbështetje e madhe morale qe na është dhënë prej presidentit Mesiq. Presidenti Mesiq vazhdon të jetë mik i yni dhe ne vazhdojmë të jemi miq të Presidentit Mesiq dhe Kroacisë”, tha Gjini.
Ai tha se pret që Haradinaj të lirohet javën që vjen.
Ramush Haradinaj u ndalua nga autoritetet franceze më 4 janar të këtij viti për shkak të një fletarrestimi të INTERPOL-it të lëshuar nga Serbia në vitin 2004.
Ai po mbahet në Francë, derisa një gjykatë e këtij shteti të vendosë rreth kërkesës së Serbisë për ekstradim të Haradinajt.
Seanca në të cilën është paraparë të vendoset për kërkesën e shtetit serb, do të mbahet më 2 mars.
http://kallxo.com/haradinaj-mbetet-ne-france/
Mesiq ishte Kryeministri i parë i Kroacisë dhe Kryetari i këtij shteti nga viti 2000 deri në vitin 2010. Ishte edhe kryetari i fundit i Jugosllavisë para shpërbërjes së këtij shteti.
Redaktoi: Bekim Muhaxheri