Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione Foto: KALLXO.com

Mësimdhënësit serbë në Ranilluk kërkojnë kthimin e tyre në listën e pagave

Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, u shqyrtua kërkesa e 23 punëtorëve të arsimit nga komuniteti serb në komunën e Ranillukut, të cilët po kërkojnë që të jenë pjesë e listës së pagave.

Anëtarët e këtij komisioni, iu bënë thirrje këtyre mësimdhënësve, që ta respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, nëse duan të gëzojnë të drejtat e tyre.

Drejtori për Buxhet dhe Financa në Ranilluk, Xhavit Krasniqi ka thënë se të gjithë ata që kanë vendim të punës përmes konkurseve, gjenden në listë të pagave.

Ai tha se nuk mund t’i punësojnë të gjithë mësimdhënësit që janë me sistem të Serbisë sepse nuk ka bazë ligjore e as mjete buxhetore.

“Çdo vit shpallet konkurs por asnjë nuk është i licencuar dhe nuk kemi obligim ligjor që t’i marrim të gjithë. I marrim vetëm ata që i plotësojnë kushtet më së miri. Vendime të përhershme të punës nuk mundemi me lëshu përderisa nuk janë të licencuar sepse nuk mundem ta shkeli ligjin. Në momentin që je në marrëdhënie pune normal që je në listë të pagave”, ka thënë Krasniqi.

Arsimtarja e shkollës fillore, Katarina Risitiq, tha para komisionit se që nga viti 2012, nuk merr pagë nga institucionet e Kosovës.

Ajo thotë se për këtë çështje ka bërë ankesë në komunë, Inspektorat të Arsimit në Gjilan dhe në Prishtinë dhe se ata kanë vendosur se ajo duhet t’i kthehet listës së pagave.

“Koleget e mia në fshatrat përreth kanë të njëjtat probleme dhe janë ankuar njëjtë edhe në Gjykatën e Kamenicës, që të na kthejnë në listë të pagave por nuk është respektuar ky vendim i gjykatës. Nuk dua që të vazhdoj me ankesa tjera nëpër gjyqe. Në konkurset që po shpallen çdo vit askund nuk shkruan se duhet të kemi diploma të licencuara apo të nostrifikuara”, ka thënë ajo.

Drejtori Xhavit Krasniqi tutje shtoi se edhe ata që tashmë janë duke punuar, nuk i kanë nostrifikuar diplomat, prandaj sipas tij, sapo të kryhet viti shkollor detyrohen t’i shpallin konkurset përsëri.

“Kur s’kemi zgjidhje tjetër po na duhet të bëjmë këtë zgjidhje. Qëllimi i tyre është që t’i marrin dy paga, ata nuk po pyesin përse nuk jam në marrëdhënie pune, por përse nuk jam në listë të pagave. Ata duan të marrin pagë edhe nga Kosova dhe nga Serbia”, ka deklaruar Krasniqi.

Rreth këtyre pretendimeve, Risitiq u përgjigj duke thënë se nuk ka ardhur në këtë komision për të kërkuar pagë të dyfishtë, por sepse kërkon që të paguhet njëjtë si koleget e saj, që bëjnë punën e njëjtë dhe kanë diplomën e njëjtë.

“Nuk kam ardhur të luftoj për pagë të dyfishtë por që të jem e barabartë. Unë dua që fëmijët e mi të jetojnë këtu dhe që më vonë të regjistrohen në Universitet të Mitrovicës”, ka shtuar ajo.

Edhe Zorica Simiq, e cila është pedagoge në një çerdhe thotë se ka punuar në Kamenicë që nga viti 1981 dhe se ende nuk ka marrë përgjigje në pyetjen e saj se përse është hequr nga lista e pagave.

“Jam e diskriminuar nga kolegët e tjerë. Dua ta di arsyen përse. Nuk kam përgjigje prej komunës. Unë jam punëtorja e parë në këtë çerdhe dhe kam marrë edhe mirënjohje nga drejtori Maliqi, kam mësuar edhe gjuhën shqipe. Dua një arsyetim për këtë sepse po ndihem e lënduar”, ka thënë ajo.

 

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione Foto: KALLXO.com

Kryetarja e këtij komisioni, Duda Balje tha se sipas kërkesës që ka pranuar janë 23 persona të cilët janë larguar nga lista e pagave, pavarësisht se të gjithë janë duke punuar me diploma të Serbisë dhe se nuk i kanë nostrifikuar ato.

“Disa prej tyre kanë diploma të Kosovës dhe nuk i keni punësuar. Këtu po kemi shumë shkelje të drejtave të njeriut”, ka thënë Balje.

Ndërkaq drejtori i Arsimit në komunën e Ranillukut, Ivan Mitkoviq ka thënë se nëse Ministria e Arsimit vendosë t’u jap buxhet shtesë, ata do t’i punësojnë edhe këta mësimdhënës sepse nuk janë të larguar nga puna.

“Në çdo vit shpallim konkurse sepse nuk mund të japim ndonjë vendim të përhershëm për arsye se nuk po i plotësojnë kushtet për punësim. Këta individë nuk i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara me konkurs”, ka shtuar Mitkoviq.

Avokati i autorizuar nga komuna e Ranillukut, Lulzim Canaj ka thënë se diplomat e atyre të cilëve janë valide, i kanë pranuar dhe i kanë punësuar, mirëpo sipas tij, disa mësimdhënës nuk po pranojnë t’i nostrifikojnë diplomat e tyre.

Kërkesën e këtyre personave, për futje në listë të pagave përmes Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Canaj e ka cilësuar si ‘përpjekje të jashtme’ që të destabilizojnë arsimin në Kosovë.

“Konsiderojmë se në asnjë moment nuk janë shkelur të drejtat e njeriut. Një pjesë e madhe e tyre kanë thënë që nuk e njohin sistemin e Arsimit në Kosovë. Diplomat e tyre kanë qenë të panostrifikuara dhe nuk janë pranuar me kontratë afatgjatë”, tregoi ai.

Përfaqësuesja e Avokatit të Popullit, Edona Hajrullahu ka thënë se kjo është hera e parë që dëgjojnë për probleme të tilla sepse asnjëherë nuk kanë pranuar ankesa nga palët.

Ajo kërkoi që këta persona të drejtohen në zyrën e IAP në Gjilan dhe që t’i njoftojnë me rastet e tyre.

Në anën tjetër, deputetja e PDK-së Mexhide Mjaku-Topalli, tha se pengesë për trajtimin e kësaj ankese ka qenë teksti që kanë pranuar në shkrimin çirilic.

Tutje ajo udhëzoi arsimtaren Katarina Risitiq që parregullsitë e listuara në letrën drejtuar këtij komisioni, ta paraqes edhe në gjykatë.