'Mësim' për TVSh-në e Sektorit të Ndërtimit

Problemet me aplikimin si duhet të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në shërbime të sektorit të ndërtimit, përkatësisht ngarkesës së kundërt të TVSh-së, si duket ka shtyrë Administratën Tatimore e Kosovës (ATK) të mbajë seminar për tatimpaguesit e këtij sektori.

ATK ka ftuar të gjithë tatimpaguesit që merren më shërbime në këtë sektor, por edhe të interesuar të tjerë, që të marrin pjesë nesër në Prishtinë në seminarin me temën “Aplikimi i Ngarkesës së Kundërt të TVSh-së për Furnizimin e Shërbimeve në Lëminë e Ndërtimit, brenda vendit”.

“Në këtë seminar ftohen të marrin pjesë tatimpaguesit që ofrojnë shërbime në lëmin e ndërtimit, si dhe persona tjerë të interesuar me qëllim të informimit më për së afërmi me aplikimin e ngarkesës së kundërt për furnizimin e shërbimeve në lëmin e ndërtimit, brenda vendit”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Ngarkesa e kundërt e TVSh-së aplikohet për herë të parë ne Kosovë dhe rrjedh nga pakoja e re fiskale, e cila hyri në fuqi në shtatorin e vitit të kaluar.

Me ngarkesën e kundërt të TVSh-së, obligimi për pagesën e TVSh-së bartet tek personi i tatueshëm për të cilin janë kryer shërbimet.

Edhe pse furnizuesi i shërbimeve nuk paguan TVSh-në,  furnizuesi duhet të lëshojë faturë dhe të cekë në të se TVSh-në e paguan pranuesi i shërbimeve.

Lidhur me këtë problem që po ballafaqohen ndërtimtarët në vend, Ministria e Financave dhe Oda Ekonomike e Kosovës organizuan një diskutim publik muajin e kaluar, ku tha se tatimpaguesit që merren me këtë veprimtari, nuk e kanë të qartë se si duhet të aplikohet ngarkesa e kundërt e TVSh-së.

http://kallxo.com/tvsh-ja-problematike-per-ndertimtaret/