Lutfi Haziri në emisionin "Jeta në Kosovë" - Foto: KALLXO.com

Mesazhi i Lufti Hazirit për Vjosa Osmanin

Kryetari i Gjilanit dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i ka çuar “selam” bashkëpartiakes së tij, Vjosa Osmanit rreth debatit lidhur me korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, ide e presidentit Hashim Thaçi, dhe në këtë kuadër bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.

“Nuk po çuditna me Armend Zemajn e Haxhi Avdylin, por po çuditna me këtë nusen e Preshevës, vendlindjes së Idriz Seferit, e cila po shet men te Boletini i Kosovës, tue harrue vendlindjen e kolosit të Karadakut që sot gjendet në Serbi”, ka shkruar Haziri duke aluduar në Vjosa Osmanin.

“Po i kallxoj asaj dhe krejt atyne që ‘shesin men’ për vota se qysh e kam pru simbolikisht Idriz Seferin n’Gilan, kam me e pru edhe vendlindjen e tij në Kosovë, Preshevën. Kam me e pru edhe Bujanocin, edhe Medvegjën, edhe autostradën, e edhe hekurudhën”, ka theksuar ai në profilin e tij në “Facebook”

“Kosova Lindore ka me qenë Kosovë. Tash asht koha. E kemi amanet me e ba të mundun. Kush e konteston këtë fakt, fort marre duhet me i ardhë!”, ka përfunduar Lutfi Haziri.

Tre deputetët e LDK-së, të përmendur nga Lutfi Haziri, kanë qëndruar sot në kullën e Isa Boletinit në Boletin.

Prej atje, Vjosa Osmani ka thënë se trojet e të parëve tanë po bëhen pjesë e pazareve të rrezikshme dhe luftënxitëse.

“Fjalimet dhe dëshirat e Vuçiçit, njëjtë si dhe të mentorëve të tij Milloseviç e Sheshel (por edhe të disave në Kosovë) për këto toka, ishin dhe do të mbeten vetëm ëndërra të papërmbushura dhe asgjë tjetër”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.