Mesha e Krishtlindjeve Foto: Arkiv

Mesazhi i Krishtlindjeve: Të Mos Keqpërdoret Liria!

Imzot Gjergji është treguar mjaft kritik në mesazhin e tij për Krishtlindjet e këtij viti kur ka thënë se aktivitetet e papranueshme krijojnë anarki.

“Nuk mund të ndihemi mirë kur shohim se si keqpërdorim liria duke u përdorur vetëm si privilegj i disave e jo si e mirë e të gjithëve”, tha Imzot Dodë Gjergji para besimtarëve katolikë.

“Kjo i ka tejkaluar kufijtë e demokracisë”, u shpreh ai.

“Është tepruar me strukjen përpara shtetit. Ka të tillë që fshihen para ligjit për të mbuluar dështimet e veta… Për këtë gjendje të krijuar ndihemi edhe në bashkëfajtorë për nivelin e përgjegjësisë qytetare”, tha Gjergji.

Duke folur për problemet sociale në Kosovë, ai tha se të varfrit në vend po përbuzen me një ndihmë sociale e cila “më shumë i poshtëron sesa u ndihmon”.

“Të fillojmë të reflektojmë për ta bërë një kthim rrënjësor drejt së vërtetës. Pa dialog, pa mirëkuptim, pa pajtim nuk ka të ardhme për askënd në këtë vend. Pa bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, Kosova nuk mund të ketë të ardhme”, tha Imzot Dodë Gjergji.