Seanca për kontrabandim me njerez / KALLXO

Merrnin para për t`i dërguar migrantët në Austri përmes Serbisë, njëri i akuzuar pranon fajësinë

Istref Shabanj i akuzuar për trafikim me migrantë kanë pranuar fajësinë dhe të njëjtit kanë paraqitur para gjykatës marrëveshjen për pranimin e fajësisë. Ndërsa i Demë Sefaj i akuzuari i dytë në këtë rast gjendet në arrati.

Istref Shabanaj dhe Demë Sefaj, po akuzohen se në shkurt të këtij viti janë marr me kontrabandim të migrantëve, duke tentuar ta dërgojnë në shtetin e Serbisë të dëmtuarin Hasan Ademaj.

Marrëveshja lidhur me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Istref Shabanaj, ishte arritur ditën e djeshme në prani të mbrojtësit të tij, avokatit Prek Kola si dhe prokurorit të çështjes Ali Uka.

“Pas konsultimit me të mbrojturin tim, marrëveshja është bërë në mënyrë të vullnetshme dhe në përputhje me dispozitat ligjore, andaj i propozoj gjykatës që të njëjtën ta pranoj si të tillë”, tha avokati Kola.

Istref Shabanj u deklarua i fajshëm, ndërsa i akuzuari i dytë Demë Sefaj gjendet në arrati, për të cilin gjykata ka lëshuar urdhërarrest.

Ndërkaq i dëmtuari Hasan Ademaj tha se këtu i akuzuari Istref Shabanaj, ia kishte kompensuar dëmin prej 400 euro, të marrura nga ana e tij.

“Sa i përket Demë Sefaj, unë kërkoj nga ai që të më kompensohet dëmi dhe i njëjti të dënohet”, kërkoj nga gjykata i dëmtuari Hasan Ademaj.

I akuzuari i parë Istref Shabanaj, nga data 3 Gusht deri me 24 Shtator kishte qenë në paraburgim, ndërsa prej ditës së djeshme është në arrest shtëpiak, të cilën masë sot ia ndërpreu gjyqtari Shaqir Zika.

Sipas aktakuzës dyshohet se i akuzuari Istref Shabanaj kishte arritur marrëveshje me të akuzuarin e dytë Demë Sefaj, për t`i dërguar disa persona në Republikën e Serbisë dhe më pas në Austri.

Së bashku me këta persona bënte pjesë edhe i dëmtuari Hasan Ademaj, i cili ishte pajisur me pasaportë të falsifikuar të Serbisë, i cili kishte paguar shumën rreth 2500 euro, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza shpjegon se të akuzuarit Istref Shabanaj dhe Demë Sefaj, iu marrin të hollat të dëmtuarve dhe ikin në drejtim të panjohur, duke mos i dërguar në destinacionin e kërkuar.

Gjyqtari Shaqir Zika, shpalljen e aktgjykimit lidhur me këtë rast do ta bëjë nesër.

 

‘’Ky grant financohet nga Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida) dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).’’