Drejtori i ri i Doganës, Bahri Berisha, merr zyrtarisht detyrën - Foto: MF

Merr Detyrën Drejtori i Ri i Doganës

Bashkëpunimi do të jetë rruga drejt suksesit, tha drejtori i ri i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, i cili sot e pranoi zyrtarisht këtë detyrë.

Berisha tha se shpreson që do ta ketë përkrahjen e Qeverisë gjatë punës së tij në krye të Doganës.

Në ceremoninë e pranim-dorëzimit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Doganës, në emër të Qeverisë përkrahje Bahri Berishës i premtoi ministri i Financave, Avdullah Hoti.

“Pas një procesi transparent dhe me një komision me mbikëqyrje të plotë është përzgjedhur drejtori i ri Doganës. Mbështetje do ketë edhe nga ana e kryeministrit Isa Mustafa dhe institucionet e vendit“, tha Hoti.

Detyrën e re Bahri Berishës ia dorëzoi Fahri Gashi, u.d. i derisotëm i drejtorit të Doganës.

Në konkursin për drejtor të Doganës, i cili është mbyllur më 1 tetor 2016, kishin konkurruar 15 kandidatë, në mesin e të cilëve edhe ish-drejtori Lulzim Rafuna, të cilit mandati i ka përfunduar më 7 tetor 2016.

http://kallxo.com/15-kandidate-per-timonin-e-doganave/

Dje, në një konferencë për media, në të cilën ishte edhe ambasadori britanik Ruairi O’Connell, ministri Avdullah Hoti, njoftoi se kryeministri Isa Mustafa ka nënshkruar të njëjtën ditë vendimin për zgjedhjen e Bahri Berishës, i cili ka dalë kandidati më i suksesshëm në procesin e konkurrimit.

Ministri ka shpjeguar se në konkurs kishin aplikuar 22 kandidatë, por vetëm 12 prej tyre ishin ftuar në intervistë.

Sipas tij, ky ishte emërimi i parë në pozita të larta në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit që ka nënshkruar ambasadori i Britanisë së Madhe me kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa, ambasadori britanik Ruairi O’Connell ka përgëzuar Qeverinë për procesin e përzgjedhjes së drejtorit të Doganës, i cili, sipas tij, ishte “transparent dhe fer në përputhje me ligjin”.

Redaktoi: Naser Sertolli