Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.

Merkel: Do të diskutojmë si mund ta ndihmojmë përafrimin e Kosovës dhe Serbisë

Nikoqirja e Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kancelarja gjermane Angela Merkel, në një konferencë të përbashkët për media me presidentin francez Emmanuel Macron, tha se në takimin që do të niste pas pak do të shohin se cilat janë çështjet ku mund të japin një impuls për të avansuar gjërat.

“Me Francën kemi përgjegjësi të përbashkët që gjërat në këtë rajon të përparojnë. Marrëveshja Greqi-Maqedoni e Veriut është një shembull që përmes bisedimeve mund të arrihen zgjidhje për problemet”, tha kancelarja.

Shefja e Qeverisë gjermane tha se do të diskutohet edhe për procesin e përafrimit mes Kosovës dhe Serbisë dhe se si ata mund ta ndihmojmë këtë proces.

“Samiti i Berlinit është një rast i mirë për të folur hapur për të gjitha çështjet dhe duhet të theksojmë se ky samit është një hap i vogël në rrugën e gjatë dhe nuk është një proces që do përfundojë menjëherë me rezultate”, theksoi Angela Merkel.

Më pas, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se me kancelaren Merkel janë pajtuar më parë të organizojnë një takim për vendet e Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar në mënyrë të hapur për çështjet më të ndjeshme dhe për stabilitetin e regjionit.

“Muajt e fundit kanë treguar se progresi është i mundur, sikur Marrëveshja e Prespës, që tregoi se mund të zgjidhen mosmarrëveshje që dukeshin të pamundura”, tha Macron.

“Janë dy prioritete kryesore në diskutimet e sotme : e para do të flitet për Serbinë e Kosovën, me synimin tonë që bisedimet të rifillojnë. Ne nuk jemi për t’u treguar një zgjidhje Beogradit dhe Prishtinës, por që të shikohen të gjitha opsionet e mundshme, dhe ne jemi të interesuar që palët të rifillojnë dialogun. Prioriteti i dytë është të punojmë së bashku, Gjermania dhe Franca, për të dhënë një kontribut konkret për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor”, theksoi ai.

Sipas presidentit Macron, ndër temat që do të diskutohen janë edhe siguria, lufta kundër terrorizmit, krimit të organizuar, imigracioni i paligjshëm, etj.