‘Meridian’ shënon progres në vendosjen e flamujve të origjinës së produkteve

Marketet në Kosovë nuk kanë qenë të shpejta në implementimin e udhëzimeve ligjore që ju kërkon vendosjen e flamurit të origjinës së produkteve në rafte.

Një hulumtim i vogël në tregun e Kosovës nga ekipi i ‘Jeta në Kosovë’ javën e kaluar kishte treguar se në shumë markete  ende nuk ka mbaruar shenjëzimi i produkteve me flamujt e tyre dhe në përgjithësi ishin vendosur vetëm flamujt e Kosovës.

Marketi ‘Meridian’ që kishte qenë pjesë e hulumtimit, megjithatë ka shënuar progres në zbatimin e kësaj rregulle.

Në fotografitë e bëra ditën e sotme, në marketin e njëjtë ‘Meridian’, shihet se tashmë ka filluar vendosja të gjithë flamujve të origjinës.

Dje, në një përgjigje për KALLXO.com, Zyra për Informim e ‘Meridian-it’ tha se implementimi i tërësishëm i kësaj rregulle pritet të bëhet deri në fund të javës.

“Fillimisht ne kemi vendosur  vetëm flamurin e Kosovës tek produktet vendore. Nga sot ne i kemi furnizuar pikat me informatat e duhura si dhe flamujt e 60 shteteve të ndryshme dhe pikat kanë filluar procesin e vendosjes së flamujve sipas Udhëzimit Administrativ. Duke pasur parasysh që ne kemi numër të madh të artikujve në pika besojmë që ky proces do të përfundojë më së largu deri në fund të kësaj jave”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Udhëzimi administrativ që obligon përcaktimin e mbajtjes së flamurit të origjinës së produktit në vendet ku shiten ato ka hyrë në fuqi më 29 dhjetor të vitit 2018.

Ky udhëzim rrodhi nga Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit, që hyri në fuqi po ashtu vitin e kaluar.

KALLXO.com do të vazhdojë monitorimin e implementimit të kësaj rregulle dhe publikimit të artikujve me markete dhe rajone të ndryshme të Kosovës.

https://kallxo.com/pse-po-mungojne-flamujt-e-origjines-se-produktit-ne-marketet-e-kosoves/