Mërgimtari Shqyen Fotografinë e Presidentit Rugova

Mërgimtari Bajram Hoti ka keqpërdorur mundësinë që i është dhënë atij dhe të gjithë bashkatdhetarëve të diasporës për të vizituar ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Bashkatdhetari nga Krusha e Madhe, i cili jeton e punon në Gjermani, ka përfunduar në pranga për shkak të gjestit të tij në hollin e Kuvendit.

Hoti është arrestuar për shkak se ka përdhosur fotografinë e presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, e cila është e vendosur aty që nga koha kur ai ka vdekur më 2006.

Veprimin e mërgimtarit e ka dënuar ashpër kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Përmes një kumtese, kryekuvendari thekson se Kuvendi i Kosovës vazhdon të jetë i hapur për vizita nga të gjithë bashkatdhetarët tanë, por kërkon nga të gjithë vizitorët që gjatë qëndrimit në mjediset e Kuvendit të respektojnë normat e sjelljes.

Sipas komunikatës së Kuvendit, fotografia e presidentit Rugova është kthyer shumë shpejt aty ku ka qenë.

Veprimin e mërgimtarit e ka dënuar ashpër edhe Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila kërkon nga organet përkatëse që autorin e këtij akti vandal ta nxjerrin para drejtësisë.

Ndërsa, zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci, ka konfirmuar për KALLXO.com se personi i dyshuar, 46-vjeçari B. Hoti, është arrestuar për shkak se ka shkulur fotografinë e ish-presidentit Rugova.

“I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe është intervistuar, për t’u dërguar më pas në procedurë të shpejtë në Gjykatën për Kundërvajtje”, theksoi Borovci.

Por si ndodhi ngjarja?

Në fakt, mërgimtari Bajram Hoti ishte duke dhënë një intervistë për KALLXO.com për të treguar përshtypjet e tij rreth vizitës në Kuvend.

Në fillim ai tregoi se në kohën kur ka qenë student ka qenë “cimer” me kryeparlamentarin, Kadri Veseli, të cilin dëshironte ta takonte por se ai për momentin nuk gjendej në Kuvend.

Në një moment ai është acaruar kur e ka parë fotografinë e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

“Ibrahim Rugova ka vdekë në vitin 2006. Deri kur Kosova don me majtë zi për këtë njeri? Çka don me thanë kjo? A nuk është një politizim total i kësaj çështje?… Unë si bashkatdhetar e marr të drejtën e shkatërrimit të kësaj foto”, ka thënë mërgimtari para se të nisej dhe ta shkulte fotografinë e presidentit të ndjerë.

“Edhe Kadri Veselit i bon të fala, i thush kjo nuk bën kështu. Ky nuk e përfaqëson popullin. Adem Jashari e përfaqson”, ka thënë Bajram Hoti duke e hequr fotografinë nga vendi.

Menjëherë ka reaguar sigurimi i Kuvendit, i cili ia ka pamundësuar mërgimtarit të dalë nga ambientet e Kuvendit deri në momentin kur erdhi Policia dhe e prangosi.

Nën kujdesin e kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe të Forumit për Transparencë Parlamentare që nga e enjtja po mbahet aktiviteti “Bashkatdhetarët në Kuvend”.