Mërgimtari Shkon në Burg Pasi Kërkoi Pasaportën

Një situatë e pazakontë është zbuluar në prag të procesit gjyqësor ndaj Xhemajl Imerit. I dënuar me burgim prej nëntë muajsh mërgimtari me shtetësi gjermane është kthyer në paraburgim vetëm për shkak se avokati i tij kërkoj kthimin e pasaportës.

Në muajin mars gjykatësja Naime Jashanica kishte shpallur aktgjykim me të cilin Imeri ishte dënuar me burgim, ndërsa si masë siguruese gjykatësja kishte vendosur që të njëjtit t’i  konfiskohet pasaporta.

Ky vendim i gjykatëses ishte konstatuar në aktgjykimin burimor, por pa iu dhënë ankesa palës që për vendimin për pasaportën të ankohet në Gjykatën e Apelit.

I gjendur në një situatë  ku nuk mund ta apelonte vendimin, avokati Tomë Gashi i ishte drejtuar gjykatëses Jashanica me një shkresë për të kërkuar kthimin e pasaportës me arsyetimin se  klienti i tij mund ta humb punën në Gjermani.

Kërkesa e avokatit Gashi ishte parë ndryshe nga gjykatësja Jashanica. Kjo e fundit në një procedurë të pazakontë vendosi ta kthejë në paraburgim shtetasin gjerman me arsyetimin se ai theu premtimin që i dha gjykatës se nuk do largohej nga Kosova.

Avokati Gashi e quan këtë situatë skandaloze pasi sipas tij gjykatësja nuk ka pasur të drejtë të vendosë për paraburgimin pasi e ka bërë shpalljen e aktgjykimit.

“Është një prej skandaleve të radhës në këtë gjykatë ku mjerisht e kemi pa që gjykata i ka caktuar klientit tim paraburgimin shtatë ditë pasi është shpallur gjykimi,” ka thënë Gashi.

Sipas tij vendimi i gjykatëses ka ardhur si pasojë e kërkesës së tij për të sqaruar procedurat jo të rregullta të konfiskimit të pasaportës. Gashi ka sqaruar se Gjykata e Apelit e ka prishur vendimin e kontestuar të gjykatëses Jashanica dhe për këtë arsye çështja është kthyer në rivendosje.

“Është skandaloze mënyra e veprimit të tillë dhe unë për karrierën 30 vjeçare nuk mbaj mend, nuk di përveç që është jo ligjore se dikujt i është caktua paraburgimi jashtë seancës gjyqësore me vonesë  prej shtatë ditëve,  do të thotë ose ka gabua gjyqtarja herën e parë kur e ka ndalë pasaportën pa vendim, ndalja e pasaportës ka qenë thuajse në mënyrë private, ose ka gabuar kur e ka caktuar paraburgimin, por kjo tash po dihet, e vërteta është se Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën time,” tha Gashi.

Megjithatë  kilenti i Gashit Xhemajl Imeri do qëndrojë në paraburgim të paktën deri të hënën për shkak se i njëjti nuk ishte sjellë në gjykatore nga qendra e paraburgimit.