Mërgimtari nga Zvicra ankohet për bërtimat e zyrtares së Komunës

Një bashkatdhetar nga Zvicra gjatë vizitës së fundit në Kosovë, është zhgënjyer nga pritja që i është bërë në administratën e Komunës së Lipjanit.

Adem Ademi, i lindur në Zvicër, por me prejardhje nga Lipjanit, ka raportuar në KALLXO.com se me datë 25 qershor të këtij viti kishte shkuar në Komunën e Lipjanit për t’u pajisur me certifikatë të lindjes, e cila i duhej për të aplikuar për pasaportë të Republikës së Kosovës.

Por ai ka shtuar se nuk është mirëpritur nga një zyrtare e administratës komunale, që sipas tij fliste në gjuhën serbe.

“Unë kam shku si njeri në komunë për dokument. Aty ishte një grua rreth moshës 50 vjeçare, e cila më bërtiti duke thënë se duhet të shkoja nesër sepse nuk kishte kohë. Jam tronditë se si më kanë trajtu atje. Kam dëshirë që ky shqetësim i imi të merret me seriozitet”, ka shtuar ai.

Megjithëkëtë, Ademi kishte arritur ta tërheq dokumentin e kërkuar, me ndihmën e një zyrtari tjetër komunal.

Kurse, në Komunën e Lipjanit thonë se bashkatdhetari ka kërkuar shërbim në administratë të komunës, pak minuta para përfundimit të orarit të punës.

Zëdhënësi i Komunës së Lipjanit, Diamant Bytyqi në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se personit në fjalë ka qenë e pamundur t’i kryhet shërbimi për shkak të procedurave të kërkuara.

“Ju informojmë që personi në fjalë ka arritur në administratën e komunës pak minuta para përfundimit të orarit zyrtarë të punës njëherësh ka kërkuar të pajiset me certifikatë të lindjes. Kjo ka qenë e pa mundur për shkak që personi në fjalë nuk ka qenë fare në sistem, dhe për futjen në sistem duhet një procedurë më e gjatë e paraparë sipas ligjit, për të cilën nuk ka premtuar koha për të përfunduar”, thuhet në përgjigjen e tij.

Sipas Bytyqit, zyrtarja e komunës ka kërkuar nga personi në fjalë që të vije ditën e nesërme që ta kryej shërbimin dhe të marr dokumentet e kërkuara.