Mërdhijnë Nxënësit, Ndërpritet Mësimi në Raushiq

Për shkak të të ftohtit, në shkollën “28 Nëntori” në Raushiq të Pejës në dy ditët e fundit nuk është zhvilluar procesi mësimor.

Drejtori i shkollës, Sherif Krasniqi, tha për KALLXO.com se ka vendosur ta pezullojë mësimin në mënyrë që të ruhet shëndeti i nxënësve dhe personelit.

“Po është e vërtetë se qe dy ditë nuk po mbahet mësimi për shkak të ngecjes së punimeve në sistemin e ngrohjes së shkollës. Ne e kemi marrë ketë vendim në interes së ruajtjes së shëndetit të nxënësve edhe personelit”, tha Krasniqi.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Pejës, Besim Avdimetaj, përmes telefonit tha për KALLXO.com se shkolla në fjalë dhe problemet e saj janë përgjegjësi e Ministrisë së Arsimit.

Ai tha se ka bërë presion vazhdimisht te zyrtarët e Ministrisë që t’i dërgojnë ekipet punuese për rregullimin e ngrohjes në shkollën e Raushiqit.

Ndërsa, zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, Besa Bytyçi, në përgjigjen për KALLXO.com tha se pasi ishte ndërtuar, shkolla e re ka pasur rrjedhje të ujit në sistemin e ngrohjes dhe kjo sipas saj ka shkaktuar defekt .

“Ndërkohë, janë paraqitur disa rrjedhje uji në sistemin e ngrohjes qendrore në objektin e ri të shkollës dhe sipas raportit të Departamentit të Infrastrukturës në MAShT, ato po sanohen nga punëkryesi dhe nga sot do të rifillojë të punojë sistemi i ngrohjes”, thuhet në përgjigjen e saj.

Objekti i shkollës moderne në Raushiq ishte përuruar me 16 shtator të këtij vitit nga ministri i Arsimit, Arsim Bajrami.