Merdar: Konfiskohen mbi 11 kilogramë marihuanë në autobus

Dogana e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës në pikë kalimin kufitar në Merdare kanë ndaluar një autobus të një kompanie turistike e cila mban linjën e rregullt nga Prishtina në një shtet tjetër europian.

Gjatë kontrollimit të autobusit, udhëtarëve si dhe valixheve të tyre, në bagazhin e autobusit kanë qenë 3 çanta ku në to kishte 2 zmadhues zëri dhe një klimë për ftohje. Në brendësi të tyre janë gjetur 11 paketime me bari ngjyrë të gjelbër, e dyshuar si substancë narkotike e llojit marihuanë, me peshë 11 kg e 65 gram.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësia e antidrogës –Prishtinë, njësia  K9 si dhe forenzika rajonale e Prishtinës e cila ka bërë fotografimin, matjen dhe tërheqjen e dëshmive.

Në lidhje me rastin është kontaktuar Prokurori kujdestar dhe me urdhër të tij autobusi ndalohet për një kontroll të detajuar, përderisa janë intervistuar edhe dëshmitarë të rastit.

Informacioni në lidhje me këtë kishte arritur në Drejtorinë e antidrogës, dje rreth orës 22:00.

Policia me njësitet kompetente është në proces të hetimit të rastit dhe identifikimit të të dyshuarit të involvuar.