RTK, Prishtine. 21 maj 2015. Photo: Atdhe Mulla.

Mentor Shala Kërkon Mandat më të Gjatë për Drejtorët dhe Bordin e RTK-së

Sot në Komisionin për Administratë Publike, pa praninë e anëtarëve të partive opozitare, janë diskutuar disa plotësim – ndryshime të Ligjit për RTK-në.

Mentor Shala, drejtor i përgjithshëm i RTK-së, ka thënë se janë disa nene që duhet të riformulohen në ligj.

Ai fillimisht e ka diskutuar çështjen e pronës së RTK-së e cila, sipas tij, duhet të rregullohet me vendim të veçantë.

Propozimi i Shalës ishte që të paktën prona të caktohet në objektin ku ndodhet edhe Radio Kosova.

“RTK duhet me pasë pronë, nuk mundet me mbetë pa pronë”, tha ai.

Shala tha se Neni 21 që bën fjalë për financimin e RTK-së është kryesori që duhet të ndryshohet.

“RTK me 0.7% (të buxhetit të Kosovës) nuk funksionon më. Ne kemi mendu që nëse shkohet në formën prej buxhetit të shtetit të rritet, i kemi marrë praktikat e vendeve të rajonit, janë praktika mikse të financimit. RTK e ka buxhetin dukshëm më të vogël se transmetuesit publik të vendeve të rajonit, derisa edhe buxheti i Malit të Zi e ka buxhetin 14 milionë euro, ne i kemi vetëm 11 milionë e diçka këtë vit”, u shpreh Shala.

Sipas tij, tash duhet të digjitalizohet rrjeti, produksioni dhe arkivat e vjetra dhe me buxhetin aktual kjo nuk është e mundur të bëhet.

“Projekti i digjitalizimit të rrjetit i cili është obligativ, digjitalizimi i produksionit dhe digjitalizimi i arkivave të vjetra. Propozimi ynë është që me qenë 1.5% nga buxheti i shtetit nëse shkohet me shtetin. Është e pamundur me i realizu gjitha projektet tjera me buxhetin 0.7% është e pamundur”, tha ai.

Kërkesë tjetër e Shalës, ishte rritja e mandateve. Ai kërkoi të rriten vitet e mandateve për anëtarët e bordit, drejtorëve dhe drejtorit të përgjithshëm.

“Ndryshimi i shpeshtë i  anëtarëve të bordit po ka presion. Mandatet janë 3 vjeçare. Ne kemi menduar që janë të vogla ndoshta duhet mu zgjatë pak më shumë, mu ba 5 vjeçare, ndërsa mandati i  kryetarit dhe nënkryetarit të jetë 4 vjeçar. Gjithashtu edhe te  drejtori i përgjithshëm është edhe propozimi që mbetet i njëjti por çështja është te mandati. Mandati i drejtorit të përgjithshëm të jetë 5 vjeçar sepse 3 vjet nuk  ka asnjë praktikë, as në rajon as në Evropë. Ka 4 – 7”, tha ai.

Deputetja e LDK-së e cila e mori fjalën për t’iu kundërpërgjigjur Shalës, shpesh herë u injorua nga kryetari i Komisionit Zenun Pajaziti, i cili dëshironte që mos të kishte diskutim në komision.

Lama tha se deputetët e marrin pagën për të diskutuar dhe për të ngritur zërin në Kuvend.

Ajo tha se Shala ka qenë konfuz në propozimet që i ka bërë.

“Ju kërkoni 1.5% të buxhetit të Kosovës, përfshini edhe çështjen e digjitalizimit të arkivave, mendoj që këtu e para duhet të zgjidhet çështja e pronës”, tha ajo.

Lama ka kërkuar arsyetime me shkrim për secilin propozim.

“Sa i përket zgjatjes së mandateve, unë e kuptoj se secili ka dëshirë t’ia zgjasë jetën vetës nëpër poste, por unë mendoj që është e paarsyeshme. Edhe qeveria e  ka mandatin 4 vjet, e lere më drejtorët e mediave. Besoj që këto nuk janë serioze për t’u marrë parasysh”, u shpreh Lama.

Pajaziti, pas fjalëve të Lamës, tha se “takimet e komisioneve nganjëherë shkojnë shumë më mirë kur i kemi të mbyllura sesa kur kemi media”.

Ky komision nuk kishte kuorum për të marrë vendime, pasi disa deputet e lëshuan mbledhjen me arsyetime se kanë angazhime të tjera.