Mendimi i Qytetarëve për Heqjen e Vizave

Rekomandimi nga Komisioni Evropian për heqjen e vizave ka gëzuar shumë qytetarët e Kosovës. Disa prej tyre thonë se liberalizimi është dashur të ndodhte shumë më herët.

KALLXO.com ka marrë mendimin e qytetarëve në Prishtinë rreth kësaj ngjarjeje të konsideruar historike për Kosovën.

I moshuari Sahit Hasani thotë se i është gëzuar shumë lajmit për rekomandimin për heqjen e vizave.

“Punë më e mirë nuk ekziston. I hypë autobusit, i hyp aeroplanit, shkon në Perëndim, kthehesh edhe OK, nuk ka problem”, tha Hasani.

Ndërsa, Haxhi Ibishi tha se edhe dita e sotme është një ditë e shënuar karshi asaj të djeshmes.

“ Unë mendoj se është ditë e shënuar karshi ditës së djeshme, a dita e djeshme mendoj se pas ditës së pavarësisë është dita ma e lumtur për shqiptarët e Kosovës”, tha  ai.

Kurse, Refki Krasniqi thotë se të rinjtë duhet të dalin në Evropë e të shohin se si ndërtohet shteti. “Liberalizimi i vizave shpresoj se do të shfrytëzohet nga qytetarët e Kosovës, që të dalin jashtë dhe të shohin se si duhet ndërtuar shteti i Kosovës”, theksoi Krasniqi.

E Alban Durmishi thotë se kjo ngjarje është sukses i Kosovës në arenën ndërkombëtare. “Një sukses i madh që Kosova sot e ka korrë në arenën ndërkombëtare, dhe shpresoj që sa ma shpejtë të rinjtë të lëvizin pa viza”, tha ai.

Për një qytetar tjetër liberalizimi i vizave ndonëse i vonuar është i mirëseardhur. “Shumë mirë që është bërë liberalizimi i vizave. Ka qenë një dukuri që është dashur edhe ma herët, por megjithatë më mirë vonë se kurrë”, tha Halil Bekteshi.

Një qytetar tjetër tha se liberalizimi i vizave është pritur të bëhet kohë më parë. “Është pritur që një kohë të gjatë. Ma merr mendja që është dashtë me u bë edhe më herët por kështu është jeta në Kosovë. Ma mirë vonë se të mos bëhet hiç”, ka thënë ai.

Sipas Hysni Veselit, liberalizimi i vizave është hap i mirë por i vonuar. “Po është hap i mirë, është hap i vonuar siç po thonë politikanët tanë hap i merituar gjithsesi po nuk  nënkupton liberalizimi i vizave edhe ato pritjet e qytetarëve, pra një dallim mes asaj çka qytetarët presin dhe çka faktikisht nënkupton liberalizimi i vizave”, tha Veseli.

http://kallxo.com/komisioni-evropian-rekomandon-heqjen-e-vizave-per-kosoven/