Menaxhimi i mbeturinave ende problem për komunat e Kosovës

“Democaracy Plus” (D+) dhe projekti i GIZ-it kanë organizuar konferencën “Rritja e Efikasitetit për Menaxhimin e Mbeturinave, për Shërbimet e Qëndrueshme Komunale”.

Në konferencë u publikua edhe analiza e politikës publike “Rritja e Efikasitetit të Menaxhimit të Mbeturinave përmes “Ndreqe.com”, që tregon për sfidat e menaxhimit të mbeturinave dhe si kjo platformë mund të ndihmojë në përmirësim të administrimit dhe kontraktimit të shërbimeve për deponi ilegale të mbeturinave.

Këshilltari i ministrit të mjedisit dhe planifikimit hapësinor, Valon Maliqi tha se prioritet i ministrisë largimi i deponive të mbeturinave.

“Prioritet i ministrisë është largimi i deponive ilegale, riciklimi i tyre dhe krijimi i atyre zonave në hapësira të gjelbra. Ne jemi në muajin e tretë të fushatës ku deri më sot janë larguar mbi 600 deponi ilegale, ne do të investojmë deri në 7 milionë euro për menaxhimin e mbeturinave në nivel lokal”, tha ai.

Ferdi Kamberi, zyrtar i lartë për zhvillim të dokumenteve strategjike tha se shoqëria civile ka dhënë kontribut të madh në menaxhimin e mbeturinave.

“Shoqëria civile po jep kontributin e saj si me krijimin e aplikacioneve si me ngritjen e zërit të tyre, nëse na ka përcjellë një sfidë për shkak se si problem ka ardh si pasojë që persona të papërgjegjshëm kanë hedhur mbeturina në deponi ilegale”, deklaroi ai.

Gjithashtu Kamberi ka kërkuar përgjegjësi më të madhe të qytetarëve.

“Konsiderojmë se të gjithë duhet të kenë një përgjegjësi më të madhe për menaxhimin e mbeturinave, në mënyrë që të lejohet gjobitja e personave të papërgjegjshëm, shumica e komunave kanë arritur të krijojnë planet e tyre për menaxhimin e mbeturinave. Lansimi i platformës ndreqe.com është një zgjidhje për komunat sepse përmes raportimit po merret vendet që kanë mbeturina dhe po arrijnë deri te zgjidhja. Ne kemi kërkuar që vegëzën e ndreqe.com ta vendosin nëpër ueb faqet e tyre në mënyrë që të kemi raportime dhe rregullime”, tha Kamberi.

Atdhetare Kelmendi, përfaqësuese e GIZ tha se GIZ po ndihmon në largimin e deponive ilegale dhe kthimin e tyre në hapësira të gjelbra.

“Ne jemi duke e përkrahur platformën “Ndreqe.com” dhe “ Democracy Plus” në mënyrë që të kontribuojmë në një ambient të pasur dhe në largimin e deponive ilegale. Është shumë e mirë prania e kryetarëve të komunave, kjo tregon shumë se sa po bëjnë komunat për menaxhimin e mbeturinave”, tha Kelmendi.

Jetmir Bakija nga platforma “Ndreqe.com” ka prezantuar analizën analizën “Rritja e Efikasitetit në Menaxhimin e Mbeturinave përmes “Ndreqe.com”.

“Ndreqe.com ka arritur të largojë shumë deponi ilegale, deri më 30 nëntor, janë larguar 351 deponi ilegale në nivel komunal nga 2119 sa kanë qenë të regjistruara. Nëpër komuna janë larguar më shumë deponi se sa janë raportuar, Komuna e Prizrenit ka qenë mjaftë aktive në largimin e mbeturinave duke larguar 33 deponi, pastaj Komuna e Podujevës etj. Ndërsa prej komunave që nuk kanë pasur progres në largimin e mbeturinave janë Komuna e Malishevës ajo e Drenasit, Shtërpcës dhe Suharekës”, tregoi Bakija.

Ilir Morina kryeshef i Agjencionit të Mbrojtjes së Mjedisit adresoi probleme të shumta në raport me menaxhimin e mbeturinave duke përmendur krijimin e deponive ilegale nëpër fshatra.

“Hedhja e mbeturinave në vende të lehta të qytetarëve nëpër vende ku ata i kanë më afër krijon ves e deri te krijimi i deponive ilegale nëpër fshatra, problem tjetër është edhe hedhja e barnave me afat të skaduar, ne kemi rregull që barnat e skaduara të kthehen në barnatore, spitalet po hedhin shiringa, barna e gjithçka nëpër këto deponi, ne kemi rregull që edhe bateritë e hargjuara të kthehen ku janë blerë sepse ne i kthejmë ku i kemi marrë dhe ata nuk kanë qare pa i marrë”, tha Morina.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka tregoi ndihmën që “Ndreqe.com” i ka dhënë komunës për menaxhimin e mbeturinave dhe jo vetëm.

“Në aspektin e problemeve kemi marrë disa vendime duke krijuar qendrën e thirrjeve pa pagese ku ata mund të telefonojnë dhe të raportojnë e pastaj këto adresohen në Inspektorat duke e parë se cila prej tyre ka prioritet më të lartë, edhe platforma “Ndreqe.com”. Ne kemi larguar më shumë deponi se sa janë raportuar, ne kemi dalë në terren por qytetarët e papërgjegjshëm i kanë kthyer përsëri në gjendjen e mëparshme, e çka po i bie që ne kemi bërë, që ne vetëm i kemi zbrazë ato dhe përsëri janë mbushur, deri në gusht sipas statistikave Komuna e Prizrenit ka shqiptuar gjoba deri në 20 mijë euro për ndotje të ambientit. Ne kemi parë se duhet ende një vetëdijesim më i madh i mbeturinave dhe me shqiptim të gjobave, fushata “Ta pastrojmë Kosovën” ka bërë punë të madhe, por nëse i shihni pas dy javësh ato deponi prap kthehen në pikën zero”, tha Haskuka.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe përfaqësues komunash të tjera të cilët adresuan probleme të ndryshme ne raport me menaxhimin e mbeturinave dhe heqjen apo rregullimin e deponive ilegale në lokalitete të ndryshme.