Menaxheri i “Security Code” në Gjykimin për Tenderin e KEK-ut
Gashi është menaxher i sigurimit në “Security Code”, kompani e sigurimit fizik që fitoi tenderin për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut në vitin 2012.
Për këtë tender janë të akuzuar shtatë persona, mes tyre drejtori ekzekutiv i KEK-ut Arben Gjukaj, kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku dhe ish-kreu i OShP-së Hysni Hoxha.
Dëshmitari Gashi foli për një deklaratë të vitit 2012 të kërkuar nga KEK-u në lidhje me atë se a janë të gatshëm punëtorët e kompanisë “Security Code” të punojnë.
“Unë se kam autorizuar askënd për ta përdorur emrin dhe nënshkrimin tim, ndërsa dokumentet po. Unë autorizim si kam dhanë askujt,” tha dëshmitari.
Ai nuk e kontestoi deklaratën.
“Unë këtë deklaratë se kam kontestuar asnjëherë pasi që me vullnet kam marrë pjese në tenderin e KEK-ut për të punuar,” tha Gashi.
Gashi tregoi se kishte lënë punën në aeroport pas një marrëveshjeje me pronarin e “Security Code” që nëse kompania fiton këtë tender, ai do të jetë shef i sigurimit.
Unë me Esat Tahirin kemi pasur një marrëveshje që nëse fitohet tenderi do te jem menaxher i sigurimit në një zonë. Kjo ka qenë edhe pse kam dhënë dorëheqje nga aeroporti dhe kam kaluar për të punuar për kompaninë ‘Securiti Code’ në projektin e KEK-ut,” tha dëshmitari Gashi.
“Unë se kam ditur se nga kush financohet tenderi, mua me kanë interesuar kushtet e mia,” tha më tutje dëshmitari.
Për këtë tender të KEK-ut gazeta Jeta në Kosovë shkroi në vitin 2014.
Tender Milionësh për Ish-Truprojën dhe Nipin e Sami Lushtakut
Pas Ilir Gashit dëshmoi edhe Ardian Canolli, një punëtor i “Security Code”.
Canolli tregoi në gjykatë kur u bë pjesë e kësaj kompanie të sigurimit fizik. “Sa më kujtohet në ‘Security Code’ kam filluar punën më 3 janar 2013,” tha ky dëshmitar.
Canolli deklaroi se e ka nënshkruar deklaratën e kompanisë “Security Code” të kërkuar nga KEK-u për gatishmërinë e tyre për punë në sigurimin e objekteve të kësaj korporate.
Për Canollin avokatët e të akuzuarve nuk patën pyetje.
Pasdite dëshminë e tij e dha Osman Hajrizi menaxher i sigurimit në “Security Code”. Ai tregoi se nga viti 2012 punon në “Security Code”.
“Kam kontratë për punë sekondare me këtë kompani qe nga dhjetori i vitit 2012,” tha Hajrizi.
Dëshmitari tregoi se për të punuar në “Security Code” pa e ndërprerë punën në Poligonin e Shenjëtarisë “Katana” është marrë vesh me Esat Tahirin, pronarin e kompanisë së sigurimit fizik.
Edhe Hajrizi tha se për punë në sigurimin e objekteve të KEK-ut ka nënshkruar deklarata.
“Kanë qenë disa deklarata të cilat i kemi nënshkruar sa i përket projektit te KEK-ut,” deklaroi dëshmitari.
Ai sqaroi edhe deklaratën e nënshkruar në lidhje me gatishmërinë për të punuar në sigurim të objekteve të KEK-ut.
“Kjo deklaratë është Deklaratë e Ekskluzivitetit dhe Disponueshmërisë dhe është nënshkruar nga ana ime në selinë e ‘Security Code’ dhe ma ka ofruar Esat Tahiri nëse fitohet tenderi i KEK-ut, e kjo ka ndodhur me 23 mars 2012,” tha dëshmitari Hajrizi.
Në këtë rast gjyqësor Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku akuzohen për veprën penale mashtrim, ish- drejtori i prokurimit, Driton Pruthi; drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj; ish-kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha akuzohen për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, ndërsa kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Azem Duraku akuzohet për nxitje në keqpërdorim.
Hetimet lidhur me këtë rast kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërsa aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.