Presidenti Hashim Thaçi bëri homazhe te vendi ku më 1989 ranë dëshmorët Afrim Zhitia e Fahri Fazliu – Foto: Facebook

Memorial për Fahri Fazliun e Afrim Zhitinë më 2017

Udhëheqës të lartë shtetërorë kanë bërë homazhe te vendi ku 27 vjet më parë ranë dëshmorët Afrim Zhitia e Fahri Fazliu.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se bashkë me familjarët e dy dëshmorëve po e shqyrtojnë mundësinë e ngritjes së një memoriali në vendin ku ata u vranë më 1989.

“Gjithmonë është nder që të jemi në gjendje të përkujtojmë dhe të përulemi para tyre që kanë menduar për ne shumë më herët se sa që mendojmë ne për veten. Presim tash në bashkëpunim me familjet që ndoshta të bëjmë edhe një memorial të vogël pikërisht në këtë vend, që të kemi një vend që edhe gjeneratat e reja të dinë për dëshmorët tanë, për ata që dhanë jetën që ne të jetojmë në liri”, tha Ahmeti.

Ndërsa, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se sakrifica e dy dëshmorëve është mesazh i bashkimit të qytetarëve për liri e pavarësi.

“Afrimi dhe Fahriu janë njerëzit apo veprimtarët prej më të parëve për fillimin e rezistencës së armatosur kundër ushtrisë dhe policisë serbe. Janë dhe paraqesin vlera emblematike të lirisë dhe çlirimit e të pavarësisë së Kosovës prandaj sot këtu shteti i Kosovës i nderoi me epitetin më të madh, i nderon kombi. Sakrifica e tyre ishte stimulim dhe mesazh i bashkimit të gjithë qytetarëve për liri e pavarësi, për themelimin e UCK-së, për luftën e armatosur dhe për fitoren përfundimtare dhe largimin e Serbisë”, tha Thaçi.

Ndërsa, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, tregoi se në Obiliq do të mbahet një orë letrare në nderim të dëshmorit Fahri Fazliu.

“Ne do të vazhdojmë me homazhe në ora 15:30 pasi që e kemi edhe shtatoren e Fahriut aty. Po ashtu do të jetë një aktivitet, një orë letrare, shoqata e shkrimtarëve “Fahri Fazliu”, e cila do të fillojë në orën 17:00 dhe do të përmbyllet diku rreth orës 20:00”, tha Gashi.

Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia u vranë më 2 nëntor të vitit 1989, në lagjen “Kodra e Diellit”, pas një përleshjeje me forcat serbe.