Memli Krasniqi fton për votim të amendamentit të Ligjit të Korporatave

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka filluar seancën e jashtëzakonshme në të cilën pritet të diskutohet për votimin në lexim të dytë i Projektligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi përmendi ngecjet që Ligji për sponzorizime ka hasur për të zbatuar, duke shtuar se propozimi i deputetit Haxhiu e fuqizon këtë ligj.

“Ka një amandament i cili e fuqizon Ligjin për Sponzorizime dhe në njëfarë forme e bon pjesë të Ligjit për tatim të korporatave”, tha Krasniqi.

Ashtu si deputetët paraprak, Abdixhiku dhe Hoti, edhe deputeti Krasniqi dha sqarimin e tij për amendamentin e deputetit Bekim Haxhiu.

“Shqetësimet që mund t’i kenë profesionistët e fushës janë shqetësime që i kanë argumentet e veta, por mos harroni Ligji për sponzorizime e ka një proces goxha burokratik dhe unë parimisht s’jam fort burokratik. Ky ligj nuk mundet me u keqpërdorë ashtu siç po frikësohet dikush”, tha ai.

Sipas Krasniqit ky ligj duhet të votohet sepse është në të mirë të sportit, kulturës dhe artit.

“Unë ju them me bindje të plotë ne e kemi me borxh me ja dhanë këtë mundësi, bizneseve korporatave me e mbështet sportin, kulturën edhe artistët edhe aktivitete rinore që parasheh ligji për sponzorizime. Sot na duhet me e votu këtë amendament që i mundëson Ligjit për Sponzorizime me qenë pjesë e Ligjit bazik për tatim të korporatave dhe me obligu ATK në me i pranu ato kontrata të sponzirzimit sikur lirim të tatimit”, theksoi ai.

Edhe në seancën e kaluar ky projektligj është hedhur në votim, mirëpo për shkak të bojkotit opozitar nuk ka arritur të votohet.