Memli Krasniqi- Albulena Haxhiut: Po bën vajtim patetik

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi në seancën për gjendjen në Telekom, kritikoi opozitën e cila sipas tij ka mbetur pa tema dhe po i riciklon ato të vjetrat.

“Jemi prapë edhe në një seancë të jashtëzakonshme e 14-ta me radhë për katër muaj e gjysme  është një vazhdimësi e mashtrimit, e farzës si dhe gënjeshtrës që i bëhet opinionit publik duke tentuar ta paraqesin një farzë të krizës, kjo bëhet për shkak që opozita nuk ka tema”, tha ai.

Tutje Krasniqi tha që Komisioni Hetimor i krijuar për këtë çështje do t’i tregoj të vërtetat e akuzave të bëra nga deputetët e opozitës.

“Ky Kuvend përveç edhe një seance tjetër të jashtëzakonshme që është mbajtur për këtë çështje, ka edhe një komision hetimor parlamentar, që e ka filluar punën, ky komision është duke punuar në mënyrë aktive pikërisht për t’i hetuar dhe për t’i dhënë një përgjigje, shpresojmë, krejt këtyre hamendësimeve, etiketimeve të cilat kaq lirshëm i mundëson imuniteti i deputetit me u fol në foltoren e Kuvendit” tha ai.

Sipas tij e gjitha kjo është një mjegull, sidomos nga LDK-ja e cila ka qenë vazhdimisht në pushtet në Kosovë.

“Kryeministri para pak minutash i dha mendimet e veta, por opozita e ka thirrë këtë seancë me bo zhurmë e me bo mjegull, jo për me gjetë zgjidhje  seanca është thirrë prej VV-së dhe LDK-së, Vetëvendosja ska qenë në pushtet edhe nuk besoj që ka me qenë, dhe e kanë njëfarë arsyetimi moral për me fol për këtë punë  LDK-ja ka qenë në pushtet në krejt vitet e pas luftës, ka pas ndikim në zyrtarët e lartë të PTK-së edhe sot me dal me na kallxu qysh duhet me u bo do punë që si kanë bo vetë”, tha ai.

Ndërsa deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se seanca e sotme është thirrur për shkak të kërcënimeve që i ka bërë sipas saj, Z-Mobile, Telekomit të Kosovës.

“Ne kemi marrë veprime të menjëhershme dhe e kemi thirrë këtë seancë të jashtëzakonshme. Nëse ju pengojnë seancat e jashtëzakonshme, çka kemi ne faj që nuk keni kuorum ta shtyni agjendën tuaj legjislative. Sa herë që ju bëni skandale ne do të kemi seanca deri sa t’ju heqim përgjithmonë”, u kundërpërgjigj deputetja ndaj Memli Krasniqit nga PDK-ja.

Mirëpo këtij deklarimi të Haxhiut iu kundërpërgjigj prapë shefi i grupit parlamentar të PDK-së, i cili e quajti këtë deklarim, ‘vajtim patetik’.

“Zonja Haxhiu një tri herë ma përmendi emrin, nera ju rritë. Në fakt ai fjalimi yt, ai gjysmë vajtim patetik është vërtetimi i asaj që e thashë në fillim që kjo seancë është farzë e që tema nuk ju intereson hiq, po e keni gjete një temë me u munu mi mashtru punëtorët e shkretë. Ju e keni me e keqpërdorë kishe po mendoni për sindikatën si parti social demokrate qysh pe konsideroni vetën, krejt këtë punën e sindikatave e keni garë me PSD-në” tha ai.