Foto: Kino ABC

Mëkatet e Luftës që Sjell Lufta për Mbijetesë

Qytetarët të cilët kanë dashur që të largohen nga situata e krijuar sot në Kuvendin e Kosovës e kanë pasur mundësinë që të shikojnë filmin “Engjëjt janë larg” në Kino ABC.

Filmi “Engjëjt janë larg” me regji te Gjergj Xhuvani bart mesazhin se  njerëzit më të fuqishëm janë ata që arrijnë që të buzëqeshin edhe gjatë luftës.

Sipas regjisorit Xhuvani , zgjedhja e luftës nuk ka qenë rastësi  pasi që edhe pse nuk ka qenë pjesëmarrës direkt, ka krijuar lidhje gjatë saj me pritjen e qytetarëve në shtëpinë e tij.

“Drama më e madhe është ajo që përjetojnë njerëzit e thjeshtë. Tërë metamorfoza qoftë e  priftit i cili shkel parimet e veta qoftë të një gruaje që prostituon jashtë vendit dhe e cila kthehet në shenjtore, e bën lufta”, tha Gjergj Xhuvani.

Ngjarja fillon me paraqitjen e një jetimoreje në Gjakovë, ku shfaqet frika, ikja e qytetarëve nën zhurmën e bombardimeve kurse përfundon me këngë dhe festë për lirinë e fituar.

Aktorja Teuta Krasniqi, që luan Hanën në film dhe e cila kthehet nga Italia për të kërkuar vajzën që e ka lënë në jetimore tha se ky rol ka qenë diçka që e kishte pritur gjithë jetën.

“Një nga sfidat më të mëdha ka qenë që ta mësoj gjuhën italiane mirëpo ka qenë edhe kënaqësi pasi që gjithmonë kam dashur që të mësoj italisht…Roli ka qenë mjaft sfidues për shkak se brenda filmit pëson ndryshim edhe karakteri”, tha ajo.

Hana kur kthehet në Kosovë e gjen vendin në luftë për liri, kurse jetimoren ku e ka lënë vajzën nën udhëheqjen e një “hajni të ushqimeve”.

Gjatë rrugës për në Gjakovë ajo takon Shpendin ushtarin e UCK-së, me të cilin krijon lidhje më shumë nevoje sesa dashurie. Por lidhja e saj ka një fund tragjik.

Paralelisht shfaqet edhe jeta e prifti Mario i cili kthehet në një hajdut nate për të siguruar ushqim. Ai kalon aventura mes frikës së jetës dhe peshës se mëkatit, duke kaluar së bashku me fëmijët e jetimores situata nga më të rrezikshmet dhe më qesharaket. Ata bëhen edhe dëshmitarë të krimeve të luftës.

Hana arrin në jetimore mirëpo nuk e gjene vajzën e saj Pranverën. E ngecur në jetimore, Hana fillon një lojë pasionesh me priftin dhe arrin të bëhet një nënë për fëmijët duke sjellë edhe notat njerëzore në jetimore.

Nga Prishtina, filmi do të udhëtojë nesër në qytetin e Prizrenit.