Ballina e gazetës "Srpski Telegraf": Zaef i shpall luftë Serbisë

Mediat Serbe: Maqedonia i Shpalli Luftë Serbisë

Mediat serbe kanë akuzuar Maqedoninë për përgjimin e komunikimeve të zyrtarëve serbë në mes të një skandali të paparë diplomatik midis Beogradit dhe Shkupit.

Mediat serbe kanë akuzuar kryeministrin maqedonas Zoran Zaev se i ka shpallur luftë Serbisë dhe për përgjimin e komunikimeve të zyrtarëve serbë.

Tabloidi pro-qeveritar serb ‘Informer’ në faqen e parë pretendon se maqedonasit madje përgjuan presidentin serb Aleksandar Vuçiq, duke akuzuar shërbimin sekret të Maqedonisë për “bashkëpunim me Perëndimin”.

“Ka dëshmi se edhe njerëzit nga nivelet më të larta në Serbi janë përgjuar nga Shkupi”, theksoi “Informer”.

Lufta e mediave shpërtheu pas vendimit të Qeverisë serbe të dielën për të tërhequr stafin diplomatik nga Maqedonia.

Vuçiq tha të hënën se stafi i ambasadës serbe po tërhiqej nga Maqedonia pasi Beogradi mori “dëshmi për sulme inteligjente ndaj institucioneve të Serbisë”.

Ballina e “Informer”: “SKANDAL, maqedonasit e përgjuan edhe Vuçiqin”.

Në deklaratat e tyre të hënën, presidenti Vuçiq dhe ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq akuzuan “fuqitë e huaja” për ndërhyrje në këtë çështje, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Gazeta në pronësi shtetërore “Vecernje Novosti” akuzoi SHBA-të për “ndihmë në operacionin e përgjimit të zyrtarëve nga Serbia”, ndërsa e përditshmja serbe “Blic” publikoi një faqe të parë duke deklaruar se shërbimet sekrete maqedonase “ndoqën dhe kërcënuan” diplomatët serbë.

Tabloidi “Srpski Telegraf” shkoi edhe më tej dhe botoi një artikull ku thuhej se Zaev kishte shpallur luftë ndaj Serbisë, duke shtuar se Maqedonia planifikoi të mbështeste anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Ballina e gazetës “Blic”: “Shërbimi maqedonas ndoqi dhe kërcënoi diplomatët e Serbisë“.

Kosova nuk arriti të sigurojë mbështetje të mjaftueshme në një votim në nëntor të vitit 2015, por zyrtarët e Kosovës njoftuan se po shqyrtojnë një përpjekje të rinovuar për t’iu bashkuar kësaj organizate.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të vitit 2008 dhe ende e konsideron pjesë të territorit të saj.

Lidhur me një votim tjetër mbi anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, qeveria e re maqedonase shtoi se “ajo do të mbajë parasysh pozicionet e shumicës së vendeve anëtare të BE”.

Ballina e “Srpski Telegraf”: “Zaev i shpall luftë Serbisë“.