Mediat ‘Ndezin’ Debatin Beograd-Zagreb Për Armët

Gazetat e Beogradit ditën e hënë rritën më shumë mbulimin e tyre sensacional të debatit midis zyrtarëve serbë dhe atyre kroatë që nisi pas lajmërimit të fundit të Zagrebit se ai ka ndërmend të blejë raketa balistike nga Shtetet e Bashkuara.

Faqja e parë e tabloidit “Vecernje Novosti” paraqiti një fotografi të artilerisë serbe, e cila shoqërohej me titullin: “ ‘Nora’ jonë është më e fortë se ‘Panzeri’ kroat” – duke iu referuar obusëve “Nora” dhe tankeve që Kroacia bleu nga Gjermania vitin e kaluar.

Tabloidi “Informer” ndërkohë pohoi se në përgjigje të “provokimeve” kroate dhe të NATO-s, presidenti rus Vladimir Putin ishte i gatshëm të dërgonte dy sisteme raketash në Serbi, “që do ta bënin Serbinë forcën më e madhe ushtarake në rajon”.

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç gjithashtu hyri në debat të hënën pas takimit me zv/kryeministrin rus Dmitry Rogozin – një vazhdim i bisedimeve të armëve që Vuçiç pati me Putinin në Moskë në nëntor.

Vuçiç tha se Serbia do të rriste prodhimin e saj të armatimeve këtë vit, por mbetej e përkushtuar për paqe dhe marrëdhënie të mira me fqinjët e saj.

“Raketat balistike dhe platformat e hedhjes së armëve që Kroacia planifikon të blejë kanë një rreze nga 300 deri në 350 kilometra. Mund të shënjestroni nga Zagrebi ose çdo qytet tjetër, çdo qytet që dëshironi në Serbinë qendrore,” tha Vuçiç për agjencinë e lajmeve Tanjug.

“Serbia nuk do të sulmojë kurrë asnjë, por duhet të jetë e aftë të mbrojë territorin dhe qytetarët e saj në çdo moment. Ne po rrimë të qetë, nuk po bëjmë agjë në lidhje me kërcënimet e të tjerëve, të cilët nuk po heqin dorë në blerjen e armëve tepër të fuqishme,” shtoi ai.

Debati u përshkallëzua javën e kaluar pasi Ministri i Mbrojtjes në largim në Kroaci Ante Kotromanoviç tha se Vuçiç nuk duhet të nervozohet në lidhje me faktin që Zagrebi po armatoset.

Ministria e jashtme e Serbisë u përgjigj duke shprehur tronditje që Kroacia ishte përfshirë në riarmatosjen “e pakontrolluar”, “duke i dërguar kështu kërcënime të drejtpërdrejta Serbisë”.

Kotromanoviç më pas akuzoi Vuçiçin dhe Ministrin e Jashtëm të Serbisë Ivica Daçiç se ishin zyrtarë të lartë të një qeverie e cila nisi konflikte në Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë në vitet 1990.

Ministria e jashtme e Serbisë e mohoi këtë, ndonëse Daçiç ishte zëdhënës i Sllobodan Millosheviçit në Partinë Socialiste në pushtet dhe Vuçiç ishte Ministër i Informacionit nga viti 1998 deri në vitin 2000 nën regjimin e Millosheviçit.

Shefi i Ushtrisë Serbe Ljubisa Dikoviç u përfshi gjithashtu në debat të dielën, duke thënë se Beogradi po planifikonte të blinte helikopterë, obusë dhe makina të blinduara.

“Edhe ne po armatosemi. Dikush mund të thotë se Serbia po armatoset në mënyrë që ajo mund të kërcënojë sigurinë e disa vendeve të rajonit, por nuk është ky rasti,” tha ai.

Dinko Gruhonjiç, nga Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Vojvodinës, tha për BIRN se zyrtarët serbë po ringjallnin armiqësitë e vjetra për të larguar vëmendjen e publikut nga situata e përkeqësuar ekonomike në vend.

“Kroacia për këtë arsye është gjithmonë një armik në krye të detyrës. Kryeartikulli i gazetës “Vecernje Novosti” nuk erdhi krejt papritur, sepse ata gjithmonë presin raste të tilla për të bërë punën e tyre luftënxitëse,” tha Gruhonjiç.

Por ai paralajmëroi se pasoja kryesore e një retorike të tillë mund të jetë “nxitja e mëtejshme e paragjykimeve ndaj kroatëve, sidomos nga të rinjtë e Serbisë”.

Jelena Miliç, nga Qendra për Studime Euro-Atlantike me bazë në Beograd, CEA, tha për BIRN se deklaratat nga zyrtarët në Beograd nuk ishin në përputhje me “qëndrimin zyrtar të Serbisë – angazhimin e saj për paqen dhe stabilitetin në rajon, që ata kanë një vit që e shtyjnë tashmë”.

“Përveç kësaj, kjo është përsëri e njëjta retorikë e vjetër luftënxitëse”, tha ajo.