Mediat ndërkombëtare: Imamoglu e rrëzon Erdoganin në Stamboll

Mediat ndërkombëtare i kanë dhënë hapësirë të madhe zgjedhjeve të sotme lokale në Stamboll, të cilat i ka fituar kandidati i opozitës, Ekrem Imamoglu përballë kandidatit të partisë së presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Ndërkohë që janë numëruar pothuajse të gjitha votat e zgjedhjeve, të cilat i ka fituar kandidati i Partisë Republikane të Popullit (CHP, opozitë), gazeta franceze “Le Monde” ka shkruan se “Stambolli feston ‘kthimin e demokracisë‘ pas fitores së opozitarit”, duke përshkruar atmosferën në Seyrentepe, ku gjendet selia e CHP-së, partisë më të vjetër turke.

Duke iu referuar deklaratës së presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, se “kush e fiton Stambollin e fiton tërë Turqinë“, gazeta tjetër franceze “Le Figaro” shkruan se “Imamoglu e rrëzon Erdoganin në Stamboll”.

Zgjedhjet e sotme në Stamboll ishin përsëritje e atyre të 31 marsit, pasi partia e presidentit Erdogan, AKP, ishte ankuar për parregullsi. Edhe herën e kaluar Imamoglu e kishte mposhtur kandidatin e partisë në pushtet, Binali Yildirim.

Në zgjedhjet e sotme Ekrem Imamoglu ka fituar me rreth 54 për qind të votave.

BBC raporton për humbjen e kontrollit mbi Stambollin nga partia që qeveris me vendin.

Ndërsa, “New York Times” flet për “disfatën më të madhe” të Recep Tayyip Erdoganit në karrierën e tij politike, pasi që Stambolli ishte baza politike, ku e kishte filluar karrierën si kryeta komune.

Ndërsa, CNN në një analizë thotë se votimet në Stamboll janë shenjë për ndryshimet që po ndodhin rreth dominimit të Erdoganit në Turqi.

Kandidati i partisë AKP, ish-kryeministri Benali Yildirim, e ka pranuar sot pak kohë pas mbylljes së vendvotimeve disfatën, duke i uruar kandidatit të partisë kemaliste sukses në punën e tij si i pari i Stambollit.