Medalje presidenciale për Ahmet Krasniqin dhe Qazim Jakupin në ditën e rivarrimit të tyre

Në Akademinë Përkujtimore për 20 vjetorin e rënies së dëshmorëve, kolonel Ahmet Krasniqi dhe Qazim Jakupi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë lufta e UÇK-së bëri që gjithë atdhetarët kudo që ishin të bashkohen pa dallime politike për pavarësi.

“Kolonel Ahmet Krasniqi bëri mobilizimin e të gjithëve për luftën që solli lirinë e Kosovës. Duke u bazuar në mandatin tim, ndaj medaljen presidenciale për familjen Krasniqi. Po ashtu duke nderuar veprën e Qazim Jakupit për liri, nderoj edhe familjen Jakupi me medaljen presidenciale”, tha ai.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se shqiptarët jeta i ka kthyer në shtegtarë, por sot është obligimi  që të kthehet ministri Ahmet Krasniqi.

“Ahmet Krasniqi sot kthehet në Prishtinë, afër presidentit Rugova”, tha Haradinaj. Ai premtoi së shpejti do të rivarroset në Prishtinë edhe Ilir Konushevci.

Në emër të bashkëluftëtarëve ka folur ministri  i FSK-së, Rrustem Berisha.

Ahmet Krasniqi dhe Qazim Jakupi do të rivarrosen në varrezat e dëshmorëve në Velani.