Ndërtesa e Ministrisë së Kulturës

Më Shumë Para për “Dokufestin” dhe Qendrën Kinematografike

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit pritet që të rrisë subvencionet dhe buxhetin për disa nga institucionet dhe aktivitetet kulturore në Kosovë.

Institucionet të cilat kanë aplikuar për subvencione nga kjo ministri si dhe komunitetet e pavarura do të kenë një buxhet më të lartë se ai i paraparë deri më tani.

Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Kulturës NdueUkaj, javën e ardhme do të dalë lista e emrave të institucioneve që janë përfituese.

“Ne akoma nuk e kemi kompletuar gjithë procesin. Ajo çka mundem me ju informuar është që do të ketë rritje  për shumicën e aktiviteteve të komunitetit të pavarur dhe të institucioneve që kanë aplikuar për subvencionet e Ministrisë së Kulturës këtë vit,” tha Ukaj  për KALLXO. com

Ai tha se do të ketë rritje të buxhetit për këto institucione si dhe buxhet shtesë për Qendrën Kinematografike të Kosovës.

“Nuk mundem me ju thënë me saktësi se sa do të jetë rritja, mirëpo ajo që është e saktë është se do të ketë rritje, kurse për Qendrën Kinematografike kemi kërkuar një buxhet shtesë i cila shumë shpejt besoj që do të miratohet,” tha Ukaj.

Filmi “Shok” i përkrahur nga kjo qendër hyri sivjet në listën e ngushtë të filmave pretendentë për “Oscar” në kategorinë “Filmi më i mirë i shkurtër aksion”, por nuk arriti ta fitojë këtë çmim.

http://kallxo.com/filmi-irlandez-e-le-shok-un-pa-oscar/

Arben Zharku, drejtori i Qendrën Kinematografike të Kosovës tha se për rritjen e buxhetit ky institucion është duke bashkëbiseduar që një kohë të gjatë me ekzekutivin e vendit.

“Jemi duke shikuar me qeverinë dhe jemi duke pritur për të na e konfirmuar në ditët në vazhdim, edhe sot na e konfirmuan në takim me Kryeministrin, kështu që po presim qe të na informojnë se sa do të jetë rritja,” tha Zharku.

Ai e pati fjalën për pritjen që sot Kryeministri Mustafa dhe ministri i Kulturës Kujtim Shala i bënë ekipit të filmit “Shok”, ku zyrtarët qeveritarë, sikurse zëdhënësi i Ministrisë së Kulturës përmendën rritjen e buxhetit.

http://kallxo.com/shok-te-kryeministri/

Përfitues i këtyre subvencioneve pritet që të jetë edhe Festivali i Filmit Dokumentar dhe atij të Shkurtër “Dokufest” që zhvillohet që nga viti 2002 çdo vit në Prizren

“’Dokufesti’ do të jetë pjesë e subvencioneve, pasi që është pjesë e skenës së pavarur,” tha Ndue Ukaj.

Mirëpo drejtoresha e “Dokufestit” i cili do të ketë edicionin e XV ketë vit, Nita Deda tha “akoma nuk kemi marrë një informatë zyrtare”.

Ministria e Kulturës kishte shkaktuar pakënaqësi te komuniteti i artistëve vitin e kaluar, pasi nuk kishte përkrahur disa nga projektet kulturore të vendit.

Për këtë çështje artistë dhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës diskutuan në Emisionin “Jeta në Kosovë” në mars të vitit 2015.