Me rastet e drogave në afërsi të shkollave merret Departamenti i Krimeve të Rënda

Emisioni “Drejtësia në Kosovë”, këtë javë ka trajtuar temën për luftën e policisë dhe prokurorisë ndaj drogave në shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë.

Dukuria e drogave në shkolla po shihet si shqetësuese për prokuroritë në Kosovë që merren me luftimin e këtij fenomeni.

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Shefki Mehmeti ka treguar se tek të gjitha rastet penale, pa marrë parasysh a është e çështjes së narkotikëve apo ndonjë lënde tjetër ka raste të hedhjes së kallëzimeve penale ose pushim të hetimeve, por sipas tij, nuk ka asnjë rast të hedhjes së kallëzimit penal për shkak të rëndësisë së vogël.

“Tek departamenti për krime të përgjithshme kemi të bëjmë vetëm me posedim të narkotikëve, dhe për një gram dy ose tre gram kemi ngritë aktakuzë por çka është më e rëndësishme edhe ndaj kryerësve të veprave penale kemi bërë kërkesa për caktimin e paraburgimit”, ka thënë Mehmeti.

Ai ka treguar se në rastet kur i dyshuari është zënë me drogë në afërsi të shkollave, lënda është dërguar në departamentin për krime të rënda ku dënimet janë më të mëdha.