Seanca e Kuvendit, 6 mars 2019

Me një minutë heshtje nis seanca e veçantë e Kuvendit për Epopenë e UÇK-së

Me një minutë heshtje ka nisur seanca e veçantë e Kuvendit të Kosovës për nder të 21 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ju ftoj për një minutë heshtje në nderim për të rënët”, tha kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.

Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj kujtoi rënien heroike të komandantit legjendar Adem Jasharit dhe familjes së tij.

“Sot ne përkujtojmë me respekt sakrificën sublime dhe përulemi para varreve ku pushon komandanti legjendar dhe familja e tij. Dhe themi urime për ringjallje pasi në mars një familje ra për tu ringjallur të tjerët. Në Prekaz ka ndodhur kthesa historike. Jasharajt e dhanë krejt çka kishin të tyren për ne dhe për atë që ne kemi sot”, tha kryeministri.

Haradinaj shtoi se 21 vjet pas Epopesë së UÇK-së, liderët institucional duhet të qëndrojnë të bashkuar.

“Prandaj sot të gjithë ne liderët institucional duhet të bashkohemi nesër dhe kurdo për të drejtët tonë sepse ia kemi borxh atdheut dhe komandantit legjendar. Kosova ka miq të përjetshëm ka SHBA-të por ka edhe rrethin e  vet, ka ushtrinë të mandatuar nga ju deputetë të nderuar. Kosova sot ju bëhet krah ushtrive dhe popujve për të ndihmuar lirinë dhe paqen në botë. Lavdi të gjithëve që ranë për liri”, tha Haradinaj.