Me 5 muaj vonesë, sot hapet autostrada Prishtinë - Shkup

Pas një pune të gjatë prej disa vitesh, sot do të përurohet autostrada Prishtinë – Elez Han “Arbën Xhaferi”, në hapje të së cilës do të marrin pjesë krerët e shtetit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli do të jenë të pranishëm në ceremoninë inauguruese që do të mbahet sot në mesditë.

Hapja e Autostradës Prishtinë-Shkup bëhet me pesë muaj vonesë, pasi një gjë e tillë ishte e planifikuar të bëhej më 31 dhjetor të vitit 2018, mirëpo kjo nuk ndodhi.

Për këtë autostradë nga buxheti i shëtit i janë paguar 53 milionë euro më shumë kompanisë punëkryese Bechtel & Enka.

Lidhur me punët që i kanë kryer disa kompani vendore kanë protestuar para kampit të Bechtel – Enka-s në Ferizaj, për moskryerjen e pagesave për punët që sipas tyre i kane kryer për Bechtel – Enka-n.

Ndërkohë, Qeveria të martën (28.05.2019) ka vendosur për investime shtesë, pasi pritet të ndërtohen edhe dy kuçje të reja në këtë autostradë, një në Ferizaj dhe një në Viti, dy kyçje këto që ende nuk është bërë publike sa do kushtojnë.

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj dy ditë më parë i ka obliguar gjithë stafin e Ministrisë që të jenë prezent në ceremoninë e përurimit të kësaj autostrade.

https://kallxo.com/propaganda-e-pal-lekajt-obligon-punetoret-e-ministrise-te-shkojne-ne-perurimin-e-autostrades/

.