Nga një prazantim i mëhershëm i të hyrave të ATK-së | Foto: KALLXO.com

Më 2015, ATK Mblodhi 28 Milionë Euro më Shumë

Në një konferencë për media ku u paraqit raporti vjetor i Administratës Tatimore për vitin 2015 dhe u prezantua Plani Strategjik 2015-2020 i këtij institucioni, ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se gjatë këtij viti ka pasur ndryshim të trendit të të ardhurave tatimore krahasuar me vitet e kaluara.

“Që nga hyrja në fuqi e pakos së re fiskale janë mbi 163 kompani që e kanë shfrytëzuar mundësinë e importit pa TVSH. Gjithashtu, në bazë të të dhënave, janë mbi 30 milionë euro investime nga kompanitë vendore që kanë bërë investime duke shfrytëzuar mundësinë e importit pa TVSH”, tha ministri Hoti në një konferencë të përbashkët me drejtorin e ri të ATK-së.

Hoti tha po ashtu se Ministria që ai drejton për vitin 2016 ka një plan ambicioz për rritjen e të hyrave të rregullta, duke mos llogaritur në mbledhjen e borxheve.

“Plani i të hyrave është një plan ambicioz në shumën prej 370 milionë euro. Me trendin që unë e kam parë ditët e para të këtij viti nuk do të jetë problem që ta realizojmë këtë plan. ATK do të punojë shumë në mbledhjen e borxheve. Ne kemi krijuar një bazë të mirë ligjore me Ligjin për faljen e borxheve dhe qytetarët kanë filluar ta shfrytëzojnë këtë mundësi bukur shumë”, u shpreh ministri.

Ndërsa, Sakip Imeri, drejtori i porsazgjedhur i Administratës Tatimore të Kosovës, ka thënë se gjatë vitit të kaluar ATK ka shënuar tejkalim të të hyrave tatimore për 9.4 për qind në krahasim me vitin paraprak.

Për dallim nga 303,9 milionë eurot e mbledhura më 2014, më 2015 janë mbledhur 332,3 milionë euro, pra një ngritje për 28,4 milionë.

“Në janar të vitit 2016 gjithashtu kemi një rritje të dukshme të të hyrave krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak. Në janar kemi realizuar 43.1 milionë euro, pra 7 për qind më shumë ose 2.9 milionë më shumë se në janarin 2014”, tha Imeri.

Drejtori i ATK-së tregoi se ka pasur mbi 55 mijë vizita, 1,277 kontrolle të përfunduara nga inspektorët tatimorë në terren dhe mbi 416 mijë shërbime të ofruara. Janë fiskalizuar 22,425 biznese dhe janë bërë mbi 1.2 milion deklarime elektronike.

Në këtë konferencë, Imeri prezantoi Planin Strategjik tëAdministratës Tatimore së Kosovës për vitet 2015-2020.

Sipas tij, ky plan pritet të sigurojë një strukturë organizative efektive, përmirësim të proceseve kyçe tatimore, ngritjen e shkathtësive të personelit, ripërtëritjen e teknologjisë informative për të mundësuar punë më efikase brenda ATK-së dhe zvogëlim të nivelit të ekonomisë joformale.

Gjithashtu, në këtë konferencë u prezantua vendimi i Ministrisë së Financave për normën e dënimit që do ta paguajnë bizneset për mosdeklarimin e tatimeve, nga 10.9 për qind që ishte deri më tani në 8.4 për qind.

Sakip Imeri është shprehur se rimbursimi për kuponët fiskalë ka pasur një efekt të madh në llogaridhënien e bizneseve. Sipas tij, për tremujorin e fundit pritet t’u paguhen rreth 2 milionë euro qytetarëve për kuponë fiskalë.