Më 10 qershor nis edicioni i 7-të i festivalit ‘FemArt’

Me moton “Me liri kundër marres’  për herë të shtatë prej 10 deri më 16 qershor 2019,  Qendra për Art dhe Komunitet  “Artpolis” organizon festivalin “FemArt”, një festivali rajonal për artiste.

Festivali do të hapet me ekspozitën e Eliza Hoxhës, “Bëhu fytyra ime”, e përcjellë me performancën “E asaj…” nga artistet Agnes Nokshiqi dhe Mjellma Goranci.

Përmes një njoftimi për media, “Artpolis” njofton se këtë edicioni, siç kuptohet edhe nga motoja e festivalit, qëllimi është që të inkurajohen gratë të marrin pronësinë mbi jetët e tyre dhe në vendim-marrje, duke promovuar një jetë pa paragjykime e gjykime.

Duke qenë të gjykuara dhe të turpëruara nga shoqëria patriarkale në vazhdimësi, moto e festivalit ‘FemArt’, sipas ‘Artpolis” ka për qëllim të rrisë vetëdijen dhe të fuqizojë gratë pa marrë parasysh përkatësinë etnike, sociale, raciale apo preferencave seksuale.

“Përveç rreth 200 artisteve dhe aktivisteve nga Kosova, Rajoni, Evropa, Amerika, Azia dhe Afrika, festivali do t’i angazhojë 30 vullnetarë/e, të rinj/reja nga të gjitha komunitetet në Kosovë, në mënyrë që ta ngritë pjesëmarrjen e rinisë në çështjen e forcimit të rolit të gruas në Kosovë dhe rajon dhe ndarjen e përvojave”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e “Artpolis”.

Festivali “FemArt” është pjesë e iniciativës së 20 aktiviteteve për përkujtimin e 20 vjetorit të çlirimit të Prishtinës, organizuar në bashkëpunim me komunën e Prishtinës.

Gjatë ditëve sa do të zgjas ky festival, organizatori ka paraparë një sërë aktivitetesh për dhe rreth garave krijuese, si ekspozita, shfaqje filmash, teatër, performancave të ndryshme artistike.