Rektorati i Universitetit të Prishtinës | Foto KALLXO.com

Më 10 qershor në Prishtinë mbahet konferenca ‘Kosova 20 vjet liri dhe përpjekje’

Fakulteti Filozofik i Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinës në bashkëpunim me Institutin Albanologjik, organizon me 10 qershor konferencë shkencore me titull ‘Kosova 20 vjet liri dhe përpjekje’.

Përmes një njoftimi publik, Fakultetit Filozofik I UP-së, bën të ditur se Konferenca organizohet me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës, dhe do të mbahet më 10 qershor 2019, nga ora 9:30, në Fakultetin Filozofik të UP-së.

Sipas këtij njoftimi, Konferenca i kushtohet 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës dhe ka për qëllim shënimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme nga historia më e re e Kosovës.

Konferenca thuhet më tej në njoftim, përmes kumtesave të pjesëmarrësve nga vendi dhe jashtë mëton të ndriçojë zhvillimet kryesore të lidhura me përpjekjet e popullit të Kosovës për Liri dhe Pavarësi gjatë tërë shekullit të kaluar.

“Kjo konferencë poashtu synon të sjellë studime teorike dhe shkencore të cilat paraqesin informacione të rëndësishme, dhe me vlerë për rrugën e lirisë demokracisë dhe shtetit. Pjesëmarrësit në konferencë do të kenë mundësinë të paraqesin, diskutojnë dhe debatojnë lidhur me temat bosht dhe jo vetëm, të kësaj konference”, thuhet më tej në njoftim.

Ndërsa, ftohen studiues dhe punëtorë shkencorë nga fusha të ndryshme të shkencave humane, sociale dhe nga disiplinat e tyre, nga vendi, rajoni dhe bota për pjesëmarrje.