Diskutimi rreth së drejtës për të ditur | Foto: KALLXO.com

Mbyllja Institucionale Përballë së Drejtës për të Ditur

Institucioni i Avokatit të Popullit në Ditën Ndërkombëtare të së Drejtës për të Ditur organizoi diskutim në lidhje me zbatimin, praktikat dhe legjislacionin e kësaj të drejte në Kosovë.

Flutura Kusari, juriste e specializuar në fushën e mediave tha se është dëshmuar se qasja në dokumente publike nuk është e lehtë në Kosovë.

Kusari përmendi edhe shembuj konkretë të mbajtjes mbyllur të disa dokumenteve nga institucionet.

“Për shembull kontrata e Ministrisë së infrastrukturës me kompaninë Bechtel-Enka për të ndërtuar autostradën më të madhe në vend asnjëherë nuk është publikuar zyrtarisht”, tha Flutura Kusari.

Ajo foli edhe për mbylljen e Zyrës së Kryeministrit në lidhje me faturat e shpenzimeve dhe praktikën e mospublikimit të masave disiplinore ndaj gjyqtarëve, prokurorëve e avokatëve.

“Pastaj faturat e Zyrës së Kryeministrit përkundër faktit që ekziston aktgjykim për publikimin e tyre ende mbahen të fshehura. Madje edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Oda e Avokatëve i mbajnë të fshehura masat disiplinore ndaj avokatëve, gjyqtarëve e prokurorëve”, tha Kusari.

BIRN-i në vitin 2015 e fitoi gjyqin me Zyrën e Kryeministrit në lidhje me kërkesën për qasje në shpenzimet e atëhershme të kryeministrit dhe zëvendësve të tij për udhëtimet jashtë vendit.

Avokati i popullit Hilmi Jashari në diskutimin e tij tha se e drejta për qasje në këto dokumente është e përcaktuar edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, edhe me ligj të veçantë.

Ai tregoi se edhe me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, e cila është drejtpërdrejtë e zbatueshme në sistemin juridik të Kosovës garantohet qasja në dokumente publike.

“Sidoqoftë sa i përket zbatimit të këtyre standardeve kemi çfarë për të thënë dhe konsiderojmë se ende jemi larg këtij standardi që është i jetësuar në kushtetutën e vendit dhe praktikës gjyqësore të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut”, tha Jashari.

Në takim morën pjesë edhe gazetarë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.