Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli - Foto: REL

Mbyllja e bastoreve,Kadri Veseli ende nuk e ka nënshkruar ligjin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, ende nuk e ka nënshkruar Ligjin për ndalimin e Lojërave të Fatit.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, Zyra e Sekretarit të Kuvendit të Kosovës.

“Jo [Ligji nuk është nënshkruar]. Në Presidencë adresohet, pas kalimit të afatit të paraparë”, thuhet në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.

Ligji për ndalimin e Lojërave të Fatit është miratuar në dy lexime në Kuvendin e Kosovës, javën e kaluar, me 28 mars.

Edhe pse i miratuar në procedurë të përshpejtuar në Kuvend, ky ligj duhet të kalojë nëpër hapa të tjerë që përcaktohen përmes Kushtetutës së Kosovës, derisa të hyjë në fuqi.

Neni 80, pika 2 e Kushtetutës së Kosovës [Miratimi i Ligjeve], thotë se Ligji i miratuar nga Kuvendi nënshkruhet nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe shpallet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pasi ta ketë nënshkruar brenda tetë (8) ditësh pasi të ketë marrë ligjin.

“Nëse Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda tetë (8) ditësh pas marrjes së ligjit, nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e saj/tij dhe publikohet në Gazetën Zyrtare”, thuhet në pikën 5 të nenit 80, të aktit më të lartë juridk të vendit.

Ndalimi i veprimtarisë së lojërave të fatit në Kosovë, erdhi pas miratimit të rezolutës në Kuvendin e Kosovës, e cila u inicua nga LDK-ja.

E tëra kjo u ndërmor pasi në Suharekë dhe në Lipjan, javë më parë u vranë dy persona, punëtorë të kazinove në komunat përkatëse.

Këto zhvillime i bënë bashkë pozitë e opozitë, megjithatë, jo të gjithë deputetët e pozitës po e përkrahin vendimin për lojërat e fatit.

Dyshime rreth ndalimit të bixhozit kanë ekspertët e ekonomisë, të cilët madje edhe i druajnë pasojave që mund t’i ketë kjo nismë.

https://kallxo.com/gjnk/fati-i-paqarte-i-lojerave-te-fatit/