Gazmend Luboteni, kryetar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë Foto: KALLXO

Mbyllet rasti për konflikt interesi ndaj Kryetarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Agjencia kundër Korrupsionit(AKK), ka mbyllur rastin për konflikt interesi të kryetarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë(KShC), Gazmend Luboteni.

Gazmend Luboteni ka qenë i dyshuar për konflikt të interesit, për arsye se mban pozitën e kryetarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë(KShC), është profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, si dhe dyshohej se ishte i angazhuar në Kolegjin “AAB”.

Mbyllja e këtij rasti, sipas vendimit të kësaj agjencie, ka ndodhur për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme që e argumentojnë dyshimin e arsyeshëm për ekzistimin e konfliktit të interesit.

Në arsyetimin e rastit, Agjencia kundër Korrupsion ka shkruar se Luboteni kishte deklaruar se aktualisht është në marrëdhënie të rregullt pune në Universitetin e Prishtinës, gjegjësisht në Fakultetin Ekonomik.

Ndërsa, sa i përket angazhimit në Kolegjin “AAB”, ai ka theksuar se nuk ka marrëdhënie pune dhe asnjë raport tjetër kontraktual me kolegjin në fjalë.

Luboteni gjithashtu ka theksuar se është larguar nga mbledhja  e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, çdo herë që ka qenë në rend dite, diskutimi për Fakultetin Ekonomik në UP dhe për Kolegjin “AAB”.

AKK tutje ka treguar se mbylljen e këtij rasti, e kanë bazuar në shkresën e Kolegjit “AAB”, e cila thotë se Gazmend Luboteni nuk ka marrëdhënie pune me institucionin, gjithashtu duke u bazuar në procesverbalet e takimeve të mbajtura nga KShC, në Agjencinë e Kosovës për Akreditim(AKA).

“Nga ajo që u tha si më lartë, Agjencia kundër Korrupsionit konstaton se të qenurit Kryetar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim dhe njëkohësisht Profesor në Fakultetin Ekonomik në UP, nuk përbën konflikt të interesit dhe nuk është në kundërshtim me Ligjin Nr.06/L-011, për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik”, thuhet në vendimin e AKK-së.

Mes tjerash është sqaruar se rasti mund të rihapet në çdo kohë, nëse paraqiten rrethana të reja.

Në prill të vitit 2018, me shumicë votash nga bordi, Gazmend Luboteni ishte zgjedhur kryetar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë.