Mbyllet edicioni i 7-të i Festivalit ‘FemArt’ 

Me shfaqjen e koncertit ‘FemArt finale”  dje në mbrëmje, më 16 qershor 2019, në Teatrin ODA është mbyllur edicioni i 7 i Festivalit Ndërkombëtar “FemArt”.

Për herë të shtatë, Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis organizoi festivalin “FemArt”,  Festivali i Artistëve dhe Aktivistëve nga 10 deri më 16 qershor 2019.

Motoja e festivalit ‘Me Liri kundër Marres’ kishte si qëllim inkurajimin e grave që të marrin pronësinë mbi jetët e tyre dhe në vendim-marrje, duke promovuar një jetë pa paragjykime e gjykime.

Sipas organizatorëve, gjatë këtij edicioni të këtij festivali janë mbajtur mbi 30 aktivitete, me pjesëmarrje të rreth 200 artistëve e aktivistëve nga vendi, rajoni e bota.

“Përmes artit të tyre, këta artistë u bashkuan me moton ‘Me Liri kundër Marres’ për të çuar mesazhin e festivalit që gratë duhet të jenë të lira ta jetojnë jetën ashtu si duan dhe të marrin vendime mbi jetët duke përtej asaj që shoqëria patriarkale e konsideron marre”, thuhet në njoftimin e Festivalit “FemArt”.

Festivali “FemArt” ishte pjesë e iniciativës së 20 aktiviteteve për përkujtimin e 20 Vjetorit të Çlirimit të Prishtinës, organizuar në bashkëpunim me komunën e Prishtinës.