Gjykimi për vrasjen në "Bon Vivant" - Foto: KALLXO.com
Mbrojtja kërkon lirimin e të akuzuarve për vrasjen në ‘Bon Vivant’
“Para Zotit dhe para robit jam i pastër”, deklaroi Sherif Krasniqi, njëri nga të akuzuarit për vrasjen e Rrahman Ukës.
Ndërsa as i akuzuari tjetër, Masar Gërdovci, nuk e ka pranuar fajësinë në lidhje me vrasjen e rojës së lokalit “Bon Vivant”, Rrahman Ukës.
Në këtë proces gjyqësor, i cili po gjykohet nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Suzana Çerkini si dhe anëtarët e trupit gjykues – gjykatësit Arben Hoti e Shpresa Hasaj-Hyseni, sot është dhënë fjala përfundimtare.
Përkundër mbrojtësve të të akuzuarve dhe vetë të akuzuarve të cilët me këmbëngulësi i kanë mohuar pretendimet e Prokurorisë, Prokuroria ka deklaruar se pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe administrimit të provave është vërtetuar se të akuzuarit veprën penale të vrasjes së rëndë e kanë kryer në bashkëkryerje dhe me paramendim.
“Të akuzuarit kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje, kanë privuar nga jeta punëtorin e sigurimit me dashje dhe të vetëdijshëm për pasojat e veprimit të tyre. Kanë treguar këmbëngulësi të madhe me rastin e kryerjes së veprës penale”, tha prokurorja e rastit Ferdane Sylejmani.
Sipas prokurores të akuzuarit veprën penale e kanë kryer me dashje direkte dhe pa qenë të rrezikuar nga tashmë i ndjeri.
“Nga të gjitha provat e administruara nuk dëshmohet se të akuzuarit kanë pasur rrezik nga tashmë i ndjeri, pas që ai nuk ka pasur armë në dorë… Është vërtetuar se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale me dashje direkte me paramendim duke i pasur parasysh pasojat”, deklaroi prokurorja e cila i kërkoi Gjykatës që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe të i dënojë sipas ligjit.
Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Armend Krasniqi e përkrahu fjalën përfundimtare të prokurores duke shtuar se pala e dëmtuar do të parashtrojë kërkesë për kompensim të dëmit material dhe jomaterial.
Kurse avokati Naim Rudari, i cili në këtë proces gjyqësor e mbron të akuzuarin Masar Gërdovcin, aktakuzën e Prokurorisë e quajti të paqartë pasi që sipas avokatit dispozitivi i aktakuzës në raport me cilësimin e veprës penale janë në shpërputhje.
“Është mjaftë me rëndësi që prokurorja e shtetit të qëndrojë pranë asaj aktakuze, mirëpo është jo mjaftë e qartë në një fjali në të shprehur… Kur thuhet se Masar Gërdovci ka shtënë me armë por nuk i ka shkrepur… Është vërtetuar se Masar Gërdovci nuk ka shtënë dhe nuk ka gjuajtur pasi që arma e tij nuk ka shkrepur… cilësimi juridik nuk është krejtësisht i saktë me përmbajtjen e aktakuzës”, tha avokati Rudari.
Madje avokati Rudari për incidentin që ka ndodhur e fajësoi menaxhmentin e lokalit.
“Në situatën konkrete pronarët e kafiterisë “Bon Vivant” e kanë nxitur këtë situatë pasi që ditën e ngjarjes nuk ka pasur ndonjë paralajmërim se ka pasur ndonjë rezervim, i nënçmuan në mënyrën më të rëndë dhe pa paralajmërim nuk i shërbyen dhe i larguan nga kafeteria”, tha avokati Rudari.
Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Sherif Krasniqi, avokati Haxhi Millaku, aktakuzën e ngritur nga ana e Prokurorisë e konsideroi si të paqartë.
“Cilat janë veprimet individuale, sa do le ta qetë bashkëkryerje… Nuk i ka shkrepë atij që është i zoti e po e merr Sherifi e po e shkrepë… Në aspektin individual ia ka huq prokurorja, nuk është ngjarja… Pika e referencës janë deklaratat e të pandehurve, ekspertizat që janë bërë nga instituti, dinamika e ngjarjes nuk përputhet”, deklaroi avokati Millaku.
Tutje avokati i kërkoi Gjykatës që më shumë kujdes t’i vlerësojë provat dhe kundrejt dispozitave ligjore të mbrojturin e tij ta lirojë nga përgjegjësia penale.
“Kjo vepër penale është shumë e rëndë, kjo vepër penale i shkatërron jetën njeriut sidomos atij të pafajshmit. Keni kujdes edhe pse nuk dyshoj. Mbrojtja konsideron se Sherif Krasniqi është krejtësisht i pafajshëm. Në çfarëdo forme apo rrethane sepse nuk ka pasur qasje fizike me armë i cili është mjet që ia ka marrë shpirtin dikujt. Andaj kundrejt dispozitave ligjore kërkoj nga ju që të merrni aktgjykim lirues”, tha avokati Haxhi Millaku.
Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 12 nëntor.
Në lokalin “Bon Vivant” më 13 tetor 2014 u vra Rrahman Uka që ishte roje në atë lokal.
Për vrasjen tij akuzohen Masar Gërdovci e Sherif Krasniqi.
Rruga “Rexhep Luci” në Prishtinë ishte bllokuar vitin e kaluar, pasi u bë rikonstruksioni i vrasjes në “Bon Vivant”.
Të gjitha raportimet e KALLXO.com për vrasjen në ‘Bon Vivant’ mund t`i lexoni duke klikuar në këtë LINK.