Mbrojtësi i viktimave në Mitrovicë 'superaktiv' në politikë dhe pse i ndalohet ligjërisht

Burhan Maxhuni, mbrojtës i viktimave në Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, mbanë edhe pozita drejtuese në partinë Lidhja Demokratike e Kosovës në Mitrovicë, edhe pse në bazë të ligjit, kjo është e ndaluar.

Në Ligjin për Shërbyesit Civil të Kosovës, neni 17, paragrafi 3 është e përcaktuar se “Nëpunësit civil nuk mund të mbajnë pozita drejtuese në parti politike dhe të jenë aktiv politikisht”.

Se Burhan Maxhuni mbanë pozitë drejtuese në Lidhjen Demokratike në Kosovës në Mitrovicë, e ka pranuar edhe kryetari i kësaj partie në Mitrovicë, Safet Kamberi.

Ai në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se Burhan Maxhuni është ‘superaktiv’ në këtë parti politike.

“Po, Burhan Maxhuni është kryetar i nëndegës më të madhe në komunën e Mitrovicës, nëndegës Qendra, dhe poashtu është anëtar i kryesisë së degës së LDK-së në Mitrovicë. Është jo aktiv, por superaktiv”, është shprehur Kamberi.

Ndërsa, kur është pyetur nëse Maxhuni ka të drejtë të mbajë pozita drejtuese në parti politike, pasi që është mbrojtës i viktimave në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ai ka thënë se ajo çështje nuk i përket atyre.

“Nuk e di, këtë çështje do të ishte dashtë të rregulloj ligji, nuk na përket neve si parti politike sepse me status të partisë nuk është e ndaluar, nuk i parasheh këto norma, po përndryshe me ligj nuk e di se si është e rregulluar”, u shpreh Kamberi.

Nëse ka të drejtë apo jo të mbajë pozita drejtuese në parti politike, dhe të jetë aktiv në politik, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Maxhunin i cili duke u arsyetuar se është i zënë ka premtuar se një ditë tjetër do të na flasë për këtë çështje, dhe i njëjti as nuk e ka pohuar as nuk e ka mohuar se mbanë këto pozita.

KALLXO.com ka tentuar gjatë tërë javës të kontaktoj përsëri përmes telefonit me Maxhunin, por i njëjti nuk është përgjigjur në telefonatat tona.

Ndërsa, Basri Kastrati, menaxher i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë ka treguar se ka kërkuar interpretim nga Zyra Ligjore në Prokurorinë e Shtetit sa i përket angazhimit të Burhan Maxhunit në politikë.

“Unë kam kërkuar interpretim nga Zyra Ligjore në Prokurorin e Shtetit sa i përket angazhimit të Burhan Maxhunit në politikë, andaj më  mbetet që të vërtetoj angazhimin e tij në  politik në organin kompetent (Dega e LDK-së në Mitrovicë) sepse ai deklarohet se nuk është aktiv”, ka thënë Kastrati.

Ai ka shtuar se në qoftë se vërtetohet se Burhan Maxhuni ushtron këto detyra në parti politike dhe është aktiv do të kërkohet nga ai të ofrojë dorëheqje nga pozita në parti politike, pasi në të kundërtën do të merren masa ndaj tij.

Se Burhan Maxhuni është aktiv në LDK në Mitrovicë tregojnë edhe fotografitë e tij në rrjetet sociale, me anëtarë të LDK-së.