Dëshmitari: 13 plumba u shkrepën në konfliktin tek ‘Sami Frashëri’

Adhurim Krasniqi dhe Fatbardh Abazi, të akuzuar për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë, u mbrojtën në heshtje.

Dy të akuzuarit deklaruan se mbesin pranë deklaratave të dhëna në Prokurori.

Rasti kishte ndodhur përballë gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, ku  dy të akuzuarit në bazë të marrëveshjes paraprake kishin tentuar të privojnë nga jeta të dëmtuarin Zenel Jasharin dhe kishin rrezikuar jetën e të dëmtuarit Nazmi Uka.

Në gjykimin e sotëm dëshminë e tij e dha eksperti mjeko-ligjor, doktori Musa Gashi si dhe eksperti i forenzikës, Ilir Kukaj.

Eksperti mjeko-ligjor Musa Gashi deklaroi se ne bazë të dokumenteve të çështjes, ka bërë ekspertizën për të dëmtuarin Zenel Jashari dhe Nazmi Uka.

“Për të dëmtuarin Zenel Jashari kemi pasur në dispozicion ashtu siç mund të shihet edhe nga ekspertiza, fletë-lëshimin nga Klinika e Kirurgjisë vaskulare QKUK – Prishtinë, i cili është trajtuar nga data  20 qershor 2018 deri më 10 gusht 2018”, tha Gashi.

“Në fletë-lëshim konstatohet gjendje pas plagës sklopetare (nga predha e armës së zjarrit), në testisin e djathë, plagë sklopetare në këmbën e djathtë, plagë shkyese në kofshën e djathë, e përcjell me ndërhyrje operative, me ënjtje e hematomë në kofshën e majtë, gjakderdhje në kofshën e majtë e përcjellë gjithashtu me ndërhyrje për heqjen e trupit të huaj metalik në këmbën e majtë”, tha eksperti Musa Gashi.

Me tutje tregoi se këto dëmtime me besueshmëri janë të shkaktuara nga veprimet dinamike të predhës së armës dhe si të tilla së bashku bëjnë pjesë në dënimet e rënda trupore.

Kurse në lidhje me të dëmtuarin Nazmi Uka, eksperti Musa deklaroi se ka pasur në dispozicion fletë-lëshimin nga Klinika e Ortopedisë dhe traumatologjisë në QKUK – Prishtinë.

“Nazmi Uka është trajtuar nga data 12 deri 14 qershor 2018, ku pos tjera është konstatuar plagë sklopetare (nga predha e armës së zjarrit), në këmbën e djathtë dhe plagë tjetër në shputën e këmbës së djathtë, e përcjellë me ndërhyrje operative, këto dëmtime janë të shkaktuar nga veprimi dinamik i predhës së armës se zjarrit dhe si të tilla së bashku bëjnë në pjesë në dëmtimet e rënda trupore”, tha eksperti Gashi.

Me pas eksperti Gashi tha se i  dëmtuari  Zenel Jashari nga ekspertiza dhe nga diagnoza del se ka pasur gjakderdhje dhe si e tillë nëse nuk do  të kishte pasur ndërhyrje mjekësore atëherë do të kishte rrezik për jetë.

Ndërsa eksperti i forenzikës, Ilir Kukaj, deklaroi se në lidhje me rastin në  fjalë në Agjencinë e Forenzikës së Kosovës janë hartuar tri ekspertiza, prej të cilave dy nga to kishin qenë ekspertizë balistike të provave materiale, si gëzhoja, predha, dhe një sipas tij ishte ekspertiza e veturës në të cilën është shtënë nga armë zjarri.

“Gjatë ekspertizës së  veturës ne kemi identifikuar se në veturë është shtënë së paku 8 herë. Trajektoret e këtyre tetë të shtënave kanë ardhur nga ana e djathtë e veturës. Me ç’rast shumica e dëmtimeve  kanë qenë në derën e djathtë të përparme, nga ana e pasagjerit kurse një trajektore ka dëmtuar pjesën e dyshes së veturës nga ana e vozitësit”, tha Kukaj.

“Fatkeqësisht nga kjo ngjarje janë sjellë për ekspertizë balistike 13 gëzhoja pjesë e fishekëve 9*19 mm e ku ka rezultuar se te gjitha këto gëzhoja janë shkrepur nga e njëjta armë, dhe ne bazë te karakteristikes klasore konkretisht te gjilpërës goditëse kemi ardhur deri te përfundimi se te njëjtat  janë shkrepur nga një pistoletë e llojit Glock”, deklaroi Kukaj.

Pas dëgjimit të ekspertëve, dy të akuzuarit u mbrojtën në heshtje.

Ndërsa prokurori i shtetit, Rafet Halimi, kërkoi nga trupi gjykues që seanca e sotme të shtyhet, me arsyetimin se sot ishte vetëm zëvendësues i prokurorit të kësaj çështjeje  dhe se fjalën përfundimtare nuk e ka të përgatitur.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 25 mars, me ç’rast do jepet fjala përfundimtare.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Adhurim Krasniqi për veprat penale – vrasje e rëndë në tentativë, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve,  dhe asgjësim apo dëmtim i pasurisë, ndërsa të akuzuarin Fatbardh Abazi për veprën penale – vrasje e rëndë në tentativë.

Në aktakuzë thuhet se më 12 qershor 2018, përballë gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, dy të akuzuarit në bazë të marrëveshjes paraprake kishin tentuar të privojnë nga jeta të dëmtuarin Zenel Jasharin dhe kishin rrezikuar jetën e të dëmtuarit Nazmi Uka.

Më tutje në aktakuzë thuhet se me veturën Audi A3, pronë e të akuzuarit Fatbardh Abazi, të cilën e kishte drejtuar i akuzuari Adhurim Krasniqi, kishin përcjellë lëvizjet e të dëmtuarit Zenel Jashari dhe në momentin kur ai kishte qenë në veturën e tij Ford të cilën e kishte drejtuar i dëmtuari Nazmi Uka, i akuzuari Adhurim Krasniqi kishte dalë nga vetura dhe më armë në dorë ishte afruar te pasagjeri dhe pasi dritarja kishte qenë e hapur e kishte futur dorën brenda në veturë dhe kishte shtënë 15 herë në drejtim të të dëmtuari Zenel Jashari.

Për shkak të këtyre të shtënave, dy të dëmtuarit kishin pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa i akuzuari Krasniqi ishte larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa i akuzuari Abazi e kishte kthyer veturën me shpejtësi në drejtim të qendrës dhe kishin arritur të ikin në drejtim të panjohur, ku për një kohë kishin qëndruar në arrati.