Kuvendi Komunal | Foto: Komuna e Prishtinës

Mbledhje pa Tensione e Kuvendit të Prishtinës

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti propozoi që të futet në rendin e ditës projekti për efiçiencën e energjisë për tetë ndërtesa publike në Prishtinë.

Ky projekt është në bashkëfinancim me Bankën Gjermane për Zhvillim. Sipas Ahmetit ata kanë kërkuar që komuna të participojë me 50 mijë euro dhe për këtë kërkoi mendimin e asamblistëve.

I pari që i dha përkrahje ishte Sami Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Kryetari e di qe këtu është bërë një neglizhencë sepse ka mundur të bëhet më herët por nuk do ta kontestojmë do ta votojmë” tha Hamiti.

Njësoj u deklaruan edhe të tjerët duke e votuar këtë propozim.

Marrëveshja për efiçiencëne  energjisë ishte nënshkruar në janar të këtij viti.

http://kallxo.com/7-5-milione-nga-gjermania-per-energji-eficiente-ne-komuna/

Në mbledhje u dhanë edhe propozime të tjera ku një nga ato u fut edhe në rend të ditës.

Sadri Ramabaja nga Lëvizja Vetëvendosje tha se nuk është marrë parasysh propozimi i tij për ndërtimin e një sinagoge për hebrenjtë në Prishtinë dhe kërkoi të futet në rend të ditës.

“ Kemi te bajmë me një bashkësi që nuk po bën kërkesa të mëdha. Ju bëjë thirrje që të mos bëjmë shtyrje të tilla dhe ta trajtojmë sot.” tha ai.

Propozimi i Ramabajës u votua nga asamblistët dhe u përkrah në parim nga shumica prej tyre.

Ndërtimin e një sinagoge në Prishtinë e përmendi vetë kryetari Shpend Ahmeti në muajin mars.

http://kallxo.com/sinagoge-ne-prishtine/

Në këtë mbledhje u votua edhe propozim-vendimi për ndryshimin e Komitetit për Politikë dhe Financa në të cilin u kërkua të përfaqësohen të gjitha grupet politike dhe u votua nga shumica e asamblistëve.

Edhe propozim-vendimi për plotësim-ndryshimin e Rregullores së Tarifave, Ngarkesave dhe Gjobave Komunale kaloi në këtë mbledhje.

Kryetari Shpend Ahmeti tha se ky plotësim po  bëhet me qëllim të fuqizimit të barazisë gjinore.

“Ka ndodhë që kur e kanë regjistruar pasurinë e përbashkët kanë paguar dyfish dhe në rast të regjistrimit të pasurisë së përbashkët tani duhet të paguhet vetëm një njësi,” tha Ahmeti.

Përkrahje gjeti edhe propozim-vendimi për lënien në diskutim publik të Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave.

Për gjithë këto propozime të votuara, Visar Arifi nga Partia e Fortë e mori fjalën dhe përgëzoi kuvendin për një mbledhje pa inate.

“Po du me ju rrah shpinën secilit, po ndihna mirë,” tha Arifi.

Miratim gjeti edhe propozimi për dhënien e pronës komunale për KEDS –in.

Të gjithë asamblistët u dakorduan që raporti përfundimtar buxhetor për vitin 2015 të diskutohet në mbledhjen tjetër.