Mbledhja e komisionit | Foto: KALLXO.com

Mbledhja e Komisionit Shtyhet për Mungesë të Ministrit

Ministri Avdullah Hoti mungoi në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe për shkak të mungesë të tij në këtë mbledhje nuk u shqyrtua Raporti Vjetor i Auditimit për Vitin 2015.

Anëtari i këtij komisioni Ali Sadrija tha se Ministri i Financave ka kërkuar që kjo mbledhje e komisionit të mbahet pas dy javësh pasi sipas tij është në takim me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe nuk mund të vijë.

“Sa për informim, unë e takova ministrin dhe erdha. Ai tha se e ka njoftu shërbimin se sot nuk mund të vijë për shkak që është me Fondin Monetar aty edhe ai na luti që mbledhja të përcaktohet për sot dy javë,” tha Sadrija.

Deputeti Naim Fetahu tha se pa prezencën e ministrit nuk ka çka debatohet.

“Ne nuk duhet të thyejmë rregullat që i kemi pasë në fillim si komision-me jep një raport nuk e kemi diskutu pa prezencën e ministrit përkatës. Unë e falënderoj ministrin e Administratës Publike me bashkëpunëtorë që është prezent, por mendimi jem është që ne duhet të shtyjmë takimin për këtë pikë të rendit të ditës për arsye se nuk mund të debatojmë pa ministrin,” tha Fetahu.

Pastaj me vota komisioni vendosi që raporti vjetor i auditimit të shqyrtohet pas dy javësh

Të ftuar në mbledhjen e komisionit ishin ministri i Financave Avdullah Hoti, ministri i Administratës Publike Mahir Yagciar dhe auditori i përgjithshëm Besnik Osmani.