Mbikëqyrje Ndërkombëtare për ‘Gjykatën e Tenderëve’ të Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka paralajmëruar mundësinë që një kompani ndërkombëtare të angazhohet në mbikëqyrjen e punës së Organit Shqyrtues të prokurimit (OShP).
Në idenë e Veselit, një kompani e tillë do të mund të funksiononte si zgjidhje e përkohshme.
Prokurimi publik është fusha në të cilën raportet e organizatave vendore e ndërkombëtare verësojnë se vendi po tregon performansë të ulët.
“Që nga fillimi kemi përceptim të keq për organet publike, ka qenë ide e imja dhe kam biseduar me kryeministrin. Në organ do të kemi njerëz profesionalë, kompani të huaja do të jenë mbikqyrëse në procesin e prokurimit publik”, tha Veseli pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.
Një votim i dy anëtarëve të OShP-së dështoi gjatë kësaj jave ndërsa qeveria sot pritet që të dërgojë në Kuvend emrat për një votim tjetër.
Veseli tha sot se shpreson që votimi i ardhshëm për anëtarët e ‘gjykatës së tenderëve’ do të ketë sukses.
Funksionimi i OShP-së si organ i pavarur është edhe një nga kriteret e vendosura nga Komisioni Evropian për marrjen e rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave.
Veseli sot tha se një nga arsyet pse dëshiron mbikëqyrje ndërkombëtare të mënyrës se si jepen tenderët në Kosovës është edhe “përmirësimi i imazhit” në këtë sektor.