Foto: Ilustrim

Mbi 30 mijë persona të prekur nga gripi në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik njoftoi se që nga 1 tetori i vitit të kaluar deri më sot janë raportuar mbi 30 mijë raste nga gripi.

Gjithashtu, sipas një njoftimi në “Facebook”, deri sot nga Klinika Infektive janë raportuar katër raste vdekje të konfirmuara me Influencë AH1N1 apo i njohur si gripi i “derrit” dhe dy raste me influenca A.

“Në laboratoret e Qendrës kombëtare të gripit-IKSHPK deri më 15 shkurt 2019 janë testuar gjithsej 480 mostra të dyshimta në grip, prej tyre 141 raste rezultojnë pozitive në Influencën tip A. Pra në qarkulim gjendet virusi i Gripit A, prej të cilave 62 mostra rezultojnë pozitive ne AH1pdm09. Në Klinikën Infektive, Klinikën e Pediatrisë dhe spitalet rajonale nga 1tetori 2018 deri sot janë hospitalizuar 444 raste me Dg. Bronchopneumonia (ARI), 62 raste me Dg.ILI dhe 34 raste me Dg.SARI”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se vaksinimi I gjertanishëm në Kosovë ka treguar nje efikasitet dhe ulje te rasteve të hospitalizuara dhe se aktualisht situata epidemiologjike është nën kontroll sa i përket gripit sezonal.

“Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës tërheqin vërejtjen se virusi A H1N1 bën pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm duke dhënë rekomandime të duhura profesionale, që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambiente të ftohta, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve, dhe të përdorim sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina”, është thënë në komunikatë.

Gjithashtu, në postim janë përmendur disa masat praktike në parandalimin e përhapjes së virusit të gripit sezonal.

Të evitohen sa është e mundur kontaktet e afërta me individë të sëmurë,

Personat e sëmurë të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes

Të reduktohet numri i vizitave të familjarëve te personat e hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet rajonale)

Të evitohen vendet e mbyllura dhe mbingarkuara me njerëz

Ushqehuni shëndetshëm duke përdorë më shumë vitamina

Bëni aktivitet fizik dhe gjumë të mjaftueshëm.

Pastroni dhe dezinfektoni mjediset ku qëndroni

Mbuloni hundën dhe gojën me një shami kur të teshtini dhe kolliteni dhe hidheni më pas në vend të sigurt

Lani duart shpesh me ujë dhe sapun, ose përdorni solucione duarsh me alkool

Mos prekni sytë, hundën dhe gojën me duar të kontaminuar, pasi virusi përhapet në këtë mënyrë

Pastroni dhe dezinfektoni sipërfaqet dhe objektet që mund të jenë kontaminuar nga virusi

Konsultohuni me mjekun për mjekimin me barna kundër gripit, barnat merren vetëm me rekomandimin e mjekut;

Medikamentet kundër gripit nuk kanë efekt parandalues, mund të përdoren vetëm nëse jeni të sëmurë me grip dhe të rekomanduara nga mjeku;

Medikamente kundër gripit duhet të fillohen brenda 48 orëve të para të fillimit të sëmundjes për të pasur efektivitet të lartë;

Medikamente kundër gripit mund ta bëjnë sëmundjen më të butë si dhe të shkurtojnë kohën e sëmundjes. Ato mund të parandalojnë edhe komplikimet e rënda që mund të vijnë nga gripi.

Masat parandaluese për përhapjen e virusit të gripit

Mënyra më efikase për parandalimin e virusit të gripit sezonal është vaksinimi me vaksinën kundër gripit.

Vaksinimi mbron vetë personin dhe ndihmon në parandalimin e përhapjes së gripit.

Vaksinimi kundër gripit sezonal bëhet në muajt tetor–dhjetor por edhe gjatë tërë sezonit të dimrit.

Efekti i vaksinës fillon 1 deri 2 javë pas marrjes dhe mbrojtja vazhdon rreth një vit pas vaksinimit.