Pamje pas cunamit - Foto: BBC/Reuters

Mbi 220 të vdekur nga cunami pas shpërthimit të vullkanit

Së paku 220 persona kanë vdekur si pasojë e një cunami që ka goditur të shtunën në mbrëmje brigjet afër ngushticës së Sondes, e cila ndanë ishujt indonezianë Java dhe Sumatra, raporton Reuters, duke cituar zyrtarë dhe mediat lokale.

Cunami është shkaktuar nga një rrëshqitje toke nën det për shkak të aktivitetit vullkanik të Krakatoas, me ç’rast janë shkaktuar valë jashtëzakonisht të mëdha, ka thënë për media Sutopo Purwo Nugroho, zëdhënës i Agjencisë indoneziane të luftës kundër katastrofave natyrore.

Siç raporton Reuters, qindra shtëpi janë dëmtuar rëndë dhe mijëra persona janë strehuar në vende më të larta për t’u shpëtuar dallgëve të detit, që sipas banorëve, kanë arritur lartësinë dy deri në tri metra.

Vullkani Krakatoa ka nisur të nxjerrë llavë pak pas orës 21 :00 lokale dhe cunami ka goditur brigjet rreth 30 minuta më vonë, raporton Reuters.